Personazhi kryesor i javës së 18-të të Superiores duhet konsideruar Laçi. Jo vetëm pse shtoi tri pikë të çmuara në llogarinë e tij, por sepse iu dha një “asist” pretendentëve për titull, ku bën pjesë edhe vetë. Duke mposhtur Vllazninë në “Loro Boriçi”, kurbinasit e Shpëtim Duros e intriguan fort garën për kreun. Tashmë, Vllaznia është vetëm 6 pikë larg Partizanit të vendit të dytë, një pikë më shumë se kaq e distancuar nga Teuta dhe Laçi.
“Dhuratën” e kurbinasve e shfrytëzuan më së miri tri skuadra: Teuta, Partizani dhe Tirana. Kukësi dështoi me krutanët, duke e ndalur ecurinë poizitive, që kishte nisur me Hallaçin në stol dhe vijuar me Josën në transfertën inauguruese të tij si trajner, në Korçë.
Pra, dy të humburit e mëdhenj në këtë javë mund të konsiderohen Vllaznia dhe Kukësi. Shkodranët, megjithatë, mbeten të parët, veçse kanë nisur ta ndiejnë presionin e rivalëve. Ka tri ndeshje që Vllaznia nuk shkëlqen në lojën e vet, si më parë. Ndaj Partizanit në Elbasan e ndihmoi fati dhe balta.
Ndaj Laçit ndoshta vuajti mungesën e Krymit në mesfushë, i pezulluar, pastaj edhe të Markut, që u dëmtua. Dy pika referimi në mesfushën e kuqebluve, mungesa e të cilëve prishi strukturën e formacionit dhe lojës, me të cilat Brdaric na ka befasuar dhe mahnitur këtë kampionat. Mbetet të shihet si do të reagojë Vllaznia pas kësaj goditjeje psikologjike, teksa këmba i ka shkarë pak… Fat i madh që dy ndeshjet e radhës janë më të lehta në letër për të, teksa do të sfidojë Skënderbeun dhe Apoloninë, që mbyllin klasifikimin.
Tirana me Orges Shehin mori dy fitore radhazi dhe sheh nga kreu, edhe pse disi e distancuar. Veçse duhet kujtuar se pengesa pati dy skuadrat e fundit, me të cilat do të ketë punë Vllaznia në vazhdim. A mund ta konsiderojmë sprovë të vërtetë dhe kthesë bindëse triumfin e bardhebluve ndaj Apolonisë dhe Skënderbeut? Sigurisht që ka vend për rezerva… Nëse fierakët po luajnë me dinjitet, çka e pranoi dhe Edi Martini pas fitores së vuajtur ndaj tyre, të shtunën, korçarët duken thuajse të pashpresë në fund.
Ndërrimi i trajnerëve (Ahmataj-Memelli) vështirë të sjellë ndonjë dobi të madhe, sepse Skënderbeut nuk i pikon çatia në drejtim. Me atë grup lojtarësh të rinj duket e pamundur të dalë nga tuneli… Për momentin, fatkeqësisht, kuqebardhët janë favoritët kryesorë për të zbritur një kategori më poshtë Duhet një mrekulli e madhe që të evitohet ky fat i keq.
Partizani theu një tabu, që ishte në fuqi prej 6 vitesh. Me Ilir Dajën trajner, të kuqtë ia dolën të fitojnë në Ballsh, me mjaft vështirësi, por me dinjitet. Në pritje të angazhimit në lojë të Ferhan Hasanit, një prurje e bujshme e merkatos së dimrit, “demat” po mundohen ta ndjekin këmba-këmbës Vllazninë, me shpresën se titulli nuk është i pamundur.
Dhe kanë të drejtë, sepse jemi në gjysmën e kampionatit, ka shumë ndeshje dhe përplasje të tjera direkte, përmes të cilave mund të kapësh majën. Kjo javë, gjithashtu, vërtetoi se Laçi është “macja e zezë” e shkodranëve. Sikurse ka ndodhur edhe vitet e shkuara, edhe në dy sfidat direkte të këtij kampionati, kurbinasit ua kanë marrë dorën kuqebluve.
Me një grup cilësor lojtarësh, me një Mazrekaj në top-formë, me trajnerin e sprovuar, Shpëtim Duro në krye, pa harruar presidentin ambicioz, Laska, Laçi “gatoi” këtë javë të kampionatit treshen e frikshme për titullin. Vetë, bashkë me Partizanin dhe Teutën, do t’ia nxijnë jetën Vllaznisë, së cilës i kanë filluar të dridhurat që tani…