Miqësorja e radhës e kombëtares… Pas Arabisë Saudite do të luajmë me Katarin. Një tjetër finalist i Botërorit që fillon më 20 nëntor. 22 futbollistë nga Kategoria Superiore, të thirrur nag trajneri Edy Reja për këtë test, do të jenë sërish nën “lupë”, do të kenë mundësinë të rrisin “valencat” si kandidatë për fanellën kuqezi. Mirë apo keq? Ka kohë që kërkonim të gjithë, por sidomos “fletushka” dhe kundërshtarët e federatës që të ktheheshin sytë edhe nga kampionati ynë, se edhe këtu luhet futboll.
Në fakt politika e FSHF-së ishte e kristalizuar në këtë drejtim. Në kohën dhe vendin e caktuar do të zhvillonte këto miqësore për t’i lançuar elementët pozitivë nga Superiorja, për t’iu dhënë mundësinë atyre ta bindin trajnerin Reja për t’i pasur në vëmendje, për të rritur imazhin e kampionatit shqiptar edhe përtej kufijve. Kjo politikë nisi me afrimin e Abissnet si sponsor, duke dërguar shuma të vlefshme në arkat e klubeve.
Po në funksion të Superiores, federata siguroi dy miqësore luksi, edhe për promovimin e të rinjve, edhe për përfitimet financiare. Të gjithë i verbon suksesi i federatës me këto veprimtari. Po luajmë me dy finalistë të Botërorit, ndaj nuk mund të kishte mundësi më të mirë për t’i promovuar elementët më të spikatur të kampionatit tonë. Ai që e meriton le të trokasë së këndejmi edhe në dyert e kombëtares sonë kuqezi.
Kësi miqësoresh janë mundësi të arta edhe për tregun, marketingun e tyre. Mbi të gjitha është CV për ta, përgjegjësi e siguri më e madhe. Ekipi kombëtar shqiptar është futur tashmë në sallonet moderne të futbollit të Evropës e më tej. Ai nuk vuan më për të gjetur kundërshtarë në miqësore, por e kemi parë të ndeshet edhe me kampionë Bote e Europe. Ju kujtohet miqësorja me Argjentinën, besoj, e kemi shumë afër edhe miqësoren me Italinë, kampionen e Evropës në fuqi… Pra, kemi luksin të zgjedhim skuadra të mëdha apo të vogla për miqësore, sikurse të jenë planet e trajnerit kuqezi.
Askush nuk na injoron, por na konsideron, përballet me ne dhe indirekt rriten të ardhurat financiare, promovohen të rinjtë, selektohet elementi më pozitiv për kombëtaren e madhe. Me pak fjalë, çfarë duhet të bëjë kombëtarja për t’i kënaqur të gjithë kundërshtarët e saj? Ata kërkojnë të gjejnë gjilpërën në kashtë… Çfarë të bëjë federata që të kënaqë të pakënaqurit historikë, që lëshojnë “bomba” mediatike apo japin mend nëpër ekrane “majë krahu”, pa iu thënë kush asnjëherë “puna e mbarë” në atë që kanë bërë në jetë.
Rizgjedhja e Dukës ishte gjëja më e mirë në këtë moment edhe për kombëtaren shqiptare, së cilës nuk i mungon asgjë, grumbullohet, trajtohet, udhëton e sistemohet në kushte luksoze, si Gjermania, Anglia, Italia etj. Shikoni çfarë ndeshjesh europiane po gjykojnë arbitrat tanë. Shikoni ku shkon delegat Sokol Jareci etj. Shikoni në strukturat e UEFA punonjës nga Shqipëria. Të gjitha këto nuk kanë rënë nga qielli, por janë produkt i vizionit dhe punës së Armando Dukës.
FSHF sot është institucioni më europian në vendin tonë, si infrastrukturë dhe organigramë profesionale, ia kalon ndoshta edhe përfaqësisë së BE në Tiranë. Në Shqipëri edhe përfaqësuesit europianë dhe ata amerikanë akuzohen për korrupsion, lobingje, jo më FSHF që verbon këdo me sukseset e saj.
Suksese të gjithë lojtarëve shqiptarë që do të luajnë më 9 nëntor ndaj Katarit, suksese edhe kombëtares kuqezi që po rivitalizohet dhe konsolidohet për t’u kualifikuar në “Euro 2024”.