Nga prof. dr. XHEVDET ZEKAJ
Java e 14-të nisi me Dinamo-Vllaznia. Një barazim që spikati portierin e ri të bluve, ndërsa në anën tjetër konfirmoi luhatjet e shkodranëve.
Pas 6-3 të fazës së parë, ndoshta Vllaznia e kishte marrë lehtë sfidën me “nëndetësen”. Kjo e fundit dha shenja jete, se mund të dalë nga kriza rezultative ku ndodhet prej disa ndeshjesh, edhe pse barazimi është pak për t’i bërë punë në renditje.
Golaverazhi -11 tregon se prapavija e Dinamos është shumë problematike, por dhe faza ofensive nuk premton. Vetëm 10 gola ka shënuar skuadra e Shkëmbit deri më tani, as një gol për ndeshje. Shifra të denja për skuadra që rrezikojnë mbijetesën.
Në anën tjetër, Vllaznia është skuadra e tretë me sulmin më të mirë. Ose më saktë, që ka shënuar më shumë në Superiore. Golaverazhi i kuqebluve është pozitiv, 22-15. Vendi katërt për Vllazninë dhe i teti për Dinamon.
Egnatia vijon rënien e lirë. Tashmë pozicionohet e parafundit me 8 pikë. Largimi i Maganit i ka përkeqësuar gjërat te rrogozhinasit. Në tri ndeshjet pas tij, skuadra debutuese në Superiore nuk ka fituar dot asnjërën prej tyre, as barazuar. Ndaj Lacit vijoi kriza e rrogozhinasve, ndërsa kurbinasit e Mirel Josës janë një një makineri e pandalshme.
Fitorja 2-0 i vendos bardhezinjtë si forcë e tretë e Superiores, në ngjitje të vazhdueshme. Kurbinasit kanë shënuar 22 gola, sa Vllaznia, ndërsa kanë pësuar 8 të tillë. Kjo tregon për një skuadër të ekuilibruar, e cila nëse do ta kishte nisur me Josën që në fillim dhe jo me atë trajnerin amator malaez, ndoshta do të ishte në krye.
Kukësi përmbysi të kuqtë e Ilir Dajës në “Loro Boriçi”. Një tjetër konfirmim i punës së trajnerit italian Diego Longo, që edhe pse pa yje në ekip, ka marrë maksimumin nga grupi në dispozicion. 27 pikët e deritanishme e pozicionojnë skuadrën verilindore në pozita kryesuese, pas Tiranës. Fakt që duhet evidentuar është numri i golave të shënuar nga Kukësi, 28 të tillë, më shumë se çdo skuadër tjetër në Superiore. Nuk kishte si ndodhte ndryshe, sepse Longo luan futboll sulmues, tenton spektaklin, nuk mendon vetëm të mbrohet e të “kashojë” me ndonjë gol nga kundërsulmi.
Luhatjet po e mbajnë Partizanin larg kreut. Situata e mbrojtjes së kuqe është problematike, 14 golat e shënuar karshi 13 të pësuar tregojnë mungesën e soliditetit dhe vazhdimësisë te skuadra e Dajës, i cili po vuan ndërrimin e grupit të lojtarëve nga sezoni në sezon.
Skënderbeu nuk dorëzohet. Edhe pse me lojtarë të rinj, Memelli po mundohet të mbahet. Madje, për momentin i është larguar fundit, duke e lënë rrezikun e rënies një kategori më poshtë për Kastriotin, që e mposhti të shtunën, dhe Egnatian, në krizë totale rezultatesh.
Tirana-Teuta ishte “qershia mbi tortë” e javës së 14-të.
Rikthimi i Martinit në stolin durrsak nisi me humbje, por paraqitje vërtet pozitive. Sidoqoftë, në fund të fundit vlejnë pikët dher ato shkuan për bardheblutë, që kryesojnë të vetëm. Totre dhe Seferi shënuan dy gola, karshi atij të vetëm të bregdetarëve, duke konfirmuar valencat e 25 herë kampionëve të vendit për titull.