Nga Luan SHPUZA
Po shikoja nëpër portale që presidenti i klubit, Alban Xhaferi, është i kënaqur me merkaton dhe drejtorin sportiv, Elvis Plori. Ideja është që duam të bëjmë Vllazni shkodrane. Ok, dakord jam edhe unë për përspektivën, shumë mirë deri këtu.
Megjithatë, në një kohë kur ekipi anashkalon futbollistët brenda klubit dhe nuk i merr në kontroll tek ekipi i parë në fazë përgatitore nga U-21, për çfarë synojnë drejtuesit? E pamë mbrëmë Vllazninë e Plorit me pak fjalë.
Për shembull, nga U-21 që e meritonte për të kaluar në ekipin e parë, kemi portierin Shkoza. Portier me cilësi të mira, me shtatlartësi të përkryer. Kampion Shqipërie këtë sezon me U-21 dhe në kontratë me ekipin e parë. Nuk ftohet të jetë portier i dytë ose i tretë së bashku me Qarrin dhe Jukajn. Ok, mbyllet kapitulli i portës.
Ok, duam të jemi pa shpenzime të mëdha, por të marrim djemtë e Akademisë Vllaznia. Nuk ftohet golashënuesi më i mirë U-21, Musaraj. Këtij futbollisti duhet t’i jepet e drejta e kontrollit nga trajneri Memelli. Drejtori Plori duke i pasur futbollistë të tij pse nuk i fton në ekip të parë?
Nga U-17 të merret Kubazi dhe Ara, të vendosen nën kontrollin e Memellit. Këto futbollistë të rinj që janë në ekipe të Akademisë Vllaznia të jenë boshti i përspektivës, të marrin minutazh sadopak. Më skandali është marrja e portierit nga Korabi, Mehidri, duke pasur në kontratë Entoni Shkozën. Shumë shpërdoruese një gjë e tillë.
Kemi mbledhur futbollistë pa CV, pa minutazhe në ekipet e tyre, nga Maqedonia etj. Përsëri mbushet Vllaznia me mercenarë dhe shpenzime. Në pankinën e ekipit duhet të jenë futbollistë nga U-21 dhe U-19 që stërviten në ekip të parë. Prandaj, klubi Vllaznia dhe Akademia janë të dështuar në vite, pa asnjë përfitim financiar. Zero lekë dhe 10-vjet abuzim dhe paaftësi.
Shpresojmë që presidenti Xhaferi mos t’i besojë njerëzve të paaftë dhe pa ide të reja. Duhen njerëz avangardë që sjellin risi në futbollin shkodran, të mbushin arkën e klubit. Duhet të përfitojë sporti shkodran dhe ju zoti president Xhaferi ta dini që Vllaznia nuk është parcelë eksperimentale në kokat e drejtuesve amatorë në koncept dhe hakmarrës. Futbolli ka vetëm një emër dhe ai është Vllaznia dhe ngjyrat kuqeblu. Shpresojmë të bëjmë më të mirën në ndeshjen e dytë ndaj Linfield, pasi të parën e pamë si shkoi.