Tirana ka mposhtur 4-0 Kukësin në “Air Albania”. Sfida e javës së 18 në Superligë ka qenë spektakolare dhe me katër gola për bardheblutë, që distancohen nëntë pikë nga verilindorët e vendit të dytë.

Dueli ka prodhuar mjaft raste te të dyja skuadrat, me vendasit që janë kthyer në lojën argëtuese. Do duhej dopieta e Seferit dhe Xhixhës për tri pikët e radhës, me Shehin që duhet të jetë i lumtur. Në të 38 minutë Seferi do zhbllokonte gjithçka, me Xhixhën që në të 44 do dërgonte skuadrat në dhomat e zhveshjes me dy gola.

Sërish Xhixha me një realizim spektakolar në të 64 minutë, ndërsa në shtesë Seferi do vulsote tri pikët. Ditëlindja e 46 e trajnerit të Kukësit nuk ka sjellë dhurata për të, me Tiranën që i ka shënuar katër gola një kundërshtari direkt në luftën për titullin. Bardheblutë e Shehit mbajnë kreun me 40 pikë, ndjekur nga Kukësi dhe Laçi (-1 ndeshje) me 31 pikë.

Pas ndeshjes për Gol pas Goli foli trajneri i Tiranës, Orges Shehi.

“Sot u ndeshëm me një kundërshtar të fortë dhe treguam dominancë. Duke pasur parasysh sesi luan kundërshtari, kemi bërë mirë. Sot u mbyllën dy fazat e para dhe është gjë e mirë që kemi vazhdimësi. Jemi të ndërgjegjëshëm që kemi rrugë për të bërë.

Mesfusha – Mendoj se moduli ishte i përshtatshëm, e ndryshuam pas pjesës së dytë në 5-3-2. E kishim përgatitur ndeshjen mirë, duke mos lënë kundërshtarin të luajë me topin. Si Xhixha si Seferi kanë bërë detyrat.

4 gola – Nuk mendon se do fitosh 4-0, por si fillim të marrësh tri pikët. Ky rezultat të jep kënaqësi por nuk e mendonim me katër gola. E dinim që do dilnim shumë herë para porte.

Vujajtëm në pjesën e parë, Kukësi luan mirë me topin. Morëm masa pjesën e dytë sepse lojtarët e tyre të krahut na vendosën në vështirësi. Moduli sot u provua për herë të parë në kampionat, ka edhe rrezik por pjesën e dytë morëm masat.

Kukësi jashtë garës për titull? Nuk e mendoj këtë, është edhe gjysma e kampioantit. Shumë pikë janë në lojë. Tani fillon kampionati ynë, nuk kemi bërë asgjë, të qëndrojmë me kembë në tokë. Ndeshja e radhës me Skënderbeun duhet përgatitur mirë, sepse euforia vjen natyrshëm. Lojtarët janë me karakter dhe të uritur. Na del ne për punë që ta ndalim euforinë.

Sa të fitonim topin e parë, kishim sulmuesit për të shpërthyer. Si Xhixha dhe Seferi kërkojnë thellësi dhe kjo është ajo që donim dhe bëmë.
Seferi – Xhixha – Najdovski – Bekaj, lojtari i ndeshjes? Më vjen mirë për Visarin, është shpëtimtar dhe ne e kemi në portë.

Kukësi apo Laçi rivalë? Të dyja janë shumë të forta, mos harroni Vllazninë. Kampionati po bëhet më i egër”, tha Shehi.