Orges Shehi, trajneri i Tiranës, ia ka faturuar lodhjes një pjesë të fajit për humbjen e sotme ndaj Kukësit. Për “SuperSport” ai tha se ishte i qetë pasi nuk vihej në trysni, edhe pse vinte nga dy sfida ku situata nuk kishte folur për bardheblutë.
“E dinim që lodhja do të ndikonte sot. Në pjesën e parë ishim në ekuilibër por gabuam me pasimet. Por nuk u rrezikuam asnjëherë, dëmtimi i Behiratçes na detyroi të ndryshonim. Nuk bëmë keq në pjesën e dytë, meritonim më shumë. Më vjen keq si pësuam golat se po të ishim me të kujdesshëm do ta kishim shmangur. Na shënoi kundërshtari me një top të gjatë.
Ngo e kam thënë që është lojtari ynë kryesor, ka ditë të mira dhe të këqija. Në futboll është e pranishme kjo situatë. Kanë ndikuar gjërat që të jetë në gjendje optimale, nuk është se i delgojmë gabimet apo meritat të gjithë në grup.
Kemi bërë fazë të parë të mirë, kemi qenë dominues, me ekuilibër, kemi marrë më shumë pikë dhe kemi qenë superiorë me rivalët. Nuk do të thotë se jemi të kënaqur me pikët, jemi të kënaqur me lojën dhe pikët që ka bërë skuadra. Deshëm të mos dilnim pa pikë, po u ndëshkuam në fund.
Pas pjesës së parë ka qenë ndeshje e ekuilibruar, të dy skuadrat të vendosura mirë. Menduam që me Kukësin nuk mund të shkojmë lart se Kukësi ka lojtarë të mirë me topin, ne vinim pas 120 minutash. Nuk është se gabuam, por gabuam pasimet e thjeshta, edhe kjo për shkak të lodhjes. Mendoj se nuk ishte problemi i sulmit apo jo dhe e pësuam kur dolëm para. Sot u munduam të mos shpenzonim shumë energji.
Jam që në janar në drejtim të Tiranës dhe nuk ka trysni, nuk më kanë vënë dhe nuk vihem kollaj në trysni. Por në Kupë dolëm edhe për çështje fati, sot luajtëm pas 3 ditësh, mos harrojmë që kemi bërë fazë shumë të mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë këtë ecuri”, tha Shehi.