E ndjek Vllazninë me shumë zemër, gëzon kur ajo fiton por edhe vuan kur humbet. Osman Mula, regjisori i mirënjohur shkodran është gjithnjë në korent me zhvillimet tek skuadra shkodrane dhe di të flasë mjaft mirë në lidhje me të.
Mundohet të japë edhe sugjerime, gjithmonë në rolin e një tifozi e këtë e ka bërë edhe në daljen e tij të fundit në media, gjatë emisionit “Sport Show” kur është shprehur:
“Vendosja e një presidenti është si me thanë, vendosja e një “zot shtëpie”. Mjafton t’i referohemi një fakti: Kur një futbollist në shumë skuadra të tjera bën gol, shkon nga tribuna dhe përshëndet presidentin. Një veprim si për t’i thënë atij “ja ku jam, faleminderit prej teje, por ki besim edhe tek unë”.
Asnjëherë kur ka ba gol Vllaznia, futbollistët nuk kanë ditë ku me shku, janë 10-15 vetë aty në tribunë, të tanë të Bashkisë dhe nuk dinin ku me shku, nuk kishin një orientim. Bashkia e ka ba maksimalisht punën e saj, ka dhanë çdo vit mbi 1 milionë euro për këtë ekip dhe nuk e ban thjesht leku futbollin.
Ne kemi vite që nuk kemi një lojtar që e merr ekipin përpara. Çdo vit shkojnë e vijnë lojtarë nga Vllaznia dhe nuk ka një bërthamë. Nuk ka një mbrojtës lider, nuk ka një mesfushor lider, nuk ka një sulmues lider dhe në këto rrethana, nuk mund të pretendosh të krijosh një ekip cilësor.
Megjithatë me ardhjen e presidentit të ri, me ardhjen e stafit të ri, unë kam besim se gjërat do të ndryshojnë në sezonin e ri. Edhe lojtarët do të jenë besoj më të përgjegjshëm, do të kenë një vend ku “të falen”, do të kenë vend ku të japin llogari dhe prandaj bespk se dp të ketë edhe rezultate”- ka thënë regjisori i njohur dhe tifozi i madh i Vllaznisë./SHKODRA-SPORT.COM/