Alesandro “Papu” Gomez, ka qenë në këto vite lideri i Atalantës së mrekullive, që shkroi historinë me pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, duke u kthyer në një nga skuadrat kryesore në futbollin italian me lojë spektakolare e gola. Por në javët e fundit ka pasur një krisje të dukshme mes trajnerit Gasperini dhe futbollistit, aq sa Gomez përfundoi në pankinë në fitoren 3-0 ndaj Fiorentinës.
Ngjarje që nuk i ka pëlqyer lojtarit, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale ka lënë të kuptohet se po afron lamtumira e tij nga bargamaskët. “Të dashur tifozë atalantinë, po ju shkruaj këtu pasi nuk kam asnjë mënyrë tjetër për t’u mbrojtur dhe për të folur me ju.
Desha vetëm t’u thoja që kur të largohem do të mësohet e gjithë e vërteta. Ju më njihni dhe e njihni çfarë personi jam. Ju dua shumë, kapiteni juaj”, shkruante Gomez në postimin e tij.
Pas ndeshjes së djeshme, trajneri Gasperini kishte lënë të kuptohej se kishte mosmarrëveshje me futbollistin në këtë periudhë. “Unë mendoj se Gomez ka qenë lojtari më i rëndësishëm dhe më i aktivizuar në këto vite me mua, por që ta vendos në mesfushë për të mbuluar çdo rol, është bërë pak e komolikuar në këtë sezon dhe baza e gjithçkaje është besimi dhe gatishëmria për të dhënë kotnributin, ishin thumbimet e trajnerit duke vënë në dyshim përkushtimin e lojtarit. /vipsport/