Vllaznia kryeson Superligën shqiptare të futbollit me 32 pikë në 14 javë të zhvilluara. Interesant është fakti se shkodranët vlerësohen më pak në totalin si ekip, sesa një sezon më parë në të cilin kishin shumë “halle”.
Nëse i referohemi faqes “Transfermarkt”, vlera aktuale e Vllaznisë këtë sezon është 3.88 milion euro. Faqja e specializuar në transferimet e lojtarëve tregon edhe shifrat e kuqebluve në treg, ndërsa rritje ka pasur Dajan Shehi, Herald Marku, Ardit Hoxhaj apo Victor da Silva, dukshëm në bazë të performanës këtë sezon.
Sezoni 2019-2020 e shihte Vllazninë me një vlerë prej 4.23 milion eurosh në treg, gjithmonë në bazë të vlerësimit për peshën e lojtarëve në treg.
Reparti i këtij sezoni që vlen më shumë është mbrojtja, me lojtarët që vlerësohen 1.43 milion euro, mesfusha që kap vlerën 1.25 milion euro dhe sulmi me 975 mijë euro.
Porta e shkodranëve vlerësohet me 225 mijë euro. Lojtarët më të shtrenjtë momentalisht te Vllaznia janë Hoxhaj dhe Marku, me kartonin që kap shifrën e 250 mijë eurove./newsport/