Shkruar nga Endri ÇINARI
-Jasmin Çelikoviç po shndërrohet gradualisht në një nga figurat më të rëndësishme të Vllaznisë në këtë fillim viti 2026. Mbrojtësi boshnjak, i cili në pjesën e parë të edicionit ka pasur një rol më periferik, tashmë është konsoliduar si titullar i padiskutueshëm në repartin defensiv të kuqebluve, duke fituar besimin e stafit teknik me paraqitje të qëndrueshme dhe të sigurta.
Shtatlarti ka konfirmuar formën e tij të mirë edhe në përballjen kundër Dinamos, ku ashtu si në ndeshjen ndaj Egnatias, zhvilloi një performancë mjaft pozitive. Çelikoviç u shfaq i vëmendshëm në çdo duel, i saktë në ndërhyrje dhe i fortë në lojën ajrore, duke i dhënë siguri të gjithë prapavijës së Vllaznisë në momentet kyçe të takimit.
Statistikat flasin qartë për ndikimin e mbrojtësit boshnjak. Kuqeblutë kanë mbyllur tre ndeshjet e para të vitit 2026 pa pësuar asnjë gol, duke regjistruar plot 270 minuta me portën e paprekur. Një ecuri e tillë është tregues i një organizimi të shkëlqyer defensiv, ku roli i Çelikoviç ka qenë vendimtar.
Përvoja, qetësia dhe leximi i mirë i lojës janë disa nga elementët që e veçojnë mbrojtësin në këtë fazë të sezonit. Ai po arrin të krijojë një harmoni të mirë me partnerët e repartit, duke u shndërruar në një pikë referimi për mbrojtjen e Vllaznisë dhe duke minimizuar rreziqet përpara portës.
Me paraqitjet e fundit, Jasmin Çelikoviç po dëshmon se mund të jetë një aset i rëndësishëm për kuqeblutë në gjysmën e dytë të sezonit. Nëse vijon me këtë ritëm, mbrojtësi boshnjak pritet të luajë një rol kyç në objektivat e Vllaznisë, duke konfirmuar se besimi i dhënë ndaj tij ka qenë plotësisht i merituar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


