Ilir Kepa, një nga sulmuesit e shquar të Vllaznisë në vitet 80- 90 ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai duke folur nga Belgjika u ndal tek zhvillimet në kampionatin shqiptar në këtë fillim edicioni. Veçanërisht shkodrani analizoi edhe skuadrën e tij të zemrës, Vllazninë.
Kepa vlerëson kuqeblutë për nivelin e shfaqur deri më tani, por me një “kritikë” apo vërejtje se pse skuadra ul ritmin në pjesët e dyta. Ndër të tjera ai ndalet edhe tek trajneri Martini dhe fryma e re që ka sjellë e po ashtu shpresat e mëdha për rikthimin e titullit kampion në Shkodër pas 25 vitesh.
Kepa, sa keni pasur mundësi ta ndiqni dhe si iu është dukur kampionatin shqiptar deri më tani?
Mundohem ta ndjek kampionatin dhe zhvillimet e tij më të fundit. Zemra na ngel gjithmonë në Shqipëri pavarësisht se jemi larg (qesh). Mund të them se ky fillim edicioni më duket shumë interesant, ka garë dhe suspancë në çdo duel. Skuadrat më duken të barabarta dhe me pak diferenca me tyre, ku do veçoja disi në cilësi ekipe si: Vllaznia, Dinamo dhe Egnatia. Ndërsa për mua personalisht kanë surprizuar për mirë edhe Teuta e Bylis.
Sa efekt kanë pasur dyshja Martini-Sinani për ndryshimet tek ky ekip?
Janë dy djem që e duan Shkodrën dhe Vllazninë, njohin mentalitetin dhe çfarë kërkohet. Për mua kjo gjendje pozitive dhe admiruese e ekipit është falë trajnerit Martini, i cili po shfaq lojën e bukur dhe ofensive. Ashtu siç ai vetë e ka pasion dhe e ka luajtur po vetë në periudhën kur ka qenë futbollist aktiv.
Mendoni se ky është sezoni i duhur për të kthyer titullin kampion në Shkodër?
Ma merr mendja se ky do jetë sezoni i Vllaznisë, gjithçka duket se është gati. Dhe kam një besim shumë të madh që titulli kampion të rikthehet në Shkodër pas 25 vitesh. Një titull të cilin tifozeria kuqeblu po e pret me padurim e po ashtu i gjithë ambienti i futbollit në qytet apo edhe në diasporë.