Në ditët e fundit të nëntorit Federata Shqiptare e Futbollit do të nisë seleksionimet e lojtarëve jashtë vendit të cilët më pas do të mbushin ekipet përfaqësuese të moshave. Për këtë arsye, këto seleksionime do të nisin fillimisht në Itali dhe më pas do të vazhdojnë edhe në Greqi, Gjermani dhe Danimarkë.
Në Itali do të nisin më datë 25 pikërisht në Milano dhe një ditë më pas do të vijojnë në Romë. Tashmë sektori përkatës në Federatën tonë ka nisur edhe ftesat për lojtarët që janë evidentuar dhe do të marrin pjesë në këto “stage” të futbollistëve të datëlindjeve 2004, 2005, 2006 dhe 2007.
Një ftesë e tillë ka mbërritur tashmë edhe për një futbollist të Akademisë së Parmës, bëhet fjalë për Gabriel Ramajn. Lojtari me origjinë nga Razma, i datëlindjes 09.02.2006 luan në pozicionin e mbrojtësit të qendrës dhe madje mban edhe shiritin e kapitenit të ekipit ku luan.Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi i Parmës në faqen e tij zyrtare, i cili e shoqëron atë me foton e Ramajt duke patur në sfond flamurin kuqezi.
Klubi italian e konsideron një element të rëndësishëm të Akademisë së tij por ndërkohë i tillë pritet të jetë edhe për ekipet tona përfaqësuese. Të dhënat e tij flasin për një lojtar shumë cilësor dhe padyshim që thirrja në kombëtaret e moshave të Shqipërisë do ta motivonte edhe më shumë për karrierën e tij.
© shkodrasport.com