Largimi i Ilir Dajës nga Partizani ka sjellë shumë zhvillime në klubin e kuq. Drejtuesit janë futur intensivisht në merkato për të afruar lojtarë me eksperiencë në kampionatin shqiptar dhe sigurisht cilësor.

Sherif Kallaku është emri më i përmendur për të cilin thuhet se e ka mbyllur parimisht me Dinamon. Megjithatë kjo mbetet e pakonfirmuar dhe si për t’i shtuar dozat e aludimeve, në luftë është futur edhe Partizani.

Edhe pse presidenti dinamovit, Ardian Bardhi është marrë ekskluzivisht me këtë transferim, burime të besueshme për Newsport.al bëjnë me dije që fantazisti ka pasur një takim me drejtorin e përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama. Mësohet se palët kanë arritur marrëveshjen dhe gjithçka do të zyrtarizohet në janar.

Nga ana tjetër, edhe te Dinamo janë të bindur se lojtari do të vishet “blu”. Por, të njëjtat burime tregojnë se Partizani është fiksim i hershëm i lojtarit që ka pasur dëshirë prej disa sezonesh të veshë fanelën e kuqe.

Pritet me interes të shihet se si do të zgjidhet kjo dilemë e madhe për të ardhmen e Kallakut që aktualisht është futbollisti më i përmendur i merkatos së dimrit.