Në krye të “Abissnet Superiore”-s mbetet përsëri Partizani. Të kuqtë kanë marrë tre pikët në Shkodër, ku kanë treguar grintën e duhur mbrëmjen e sotme. Vllaznia kalon e para në avantazh, teksa shënon në minutën e 37 me anë të Hoxhajt. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e kuqebluve, ndërsa e dyta nis të flasë për Partizanin. Kur kronometri shënonte minutën e 66, Da Silva kthen baraspeshën dhe rihap sërish lojën.

Të kuqtë ngulmojnë deri në fund për fitoren dhe e arrijnë falë Xhuljano Skukës. Sulmuesi i kryeqytetasve shkund rrjetën në minutën e 85 dhe përmbys rezultatin në “Loro Boriçi“. Kaq mjafton që tre pikët të shkojnë në kryeqytet. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për “Ti bo gol“ në “Oversport“.

“Nuk mund të themi që skuadra u kënaq dhe po mbrohej. Interpretuam një pjesë të parë të mirë. Partizani bëri lojën që i takon të bënte. Patëm momente të mira në pjesën e parë. Mendoj që nuk ishte problem lodhjeje, por mënyra se si dolëm. Nuk kishim mbështetjet e duhura për të dalë nga presioni i Partizanit. E humbim topin në vijën tonë të parë, si golin e dytë.

Ai rast u përsërit shumë herë. Ishte një moment që u barazua rezultati, aty duhet të ishim më të kujdesshëm. Lojtarët që ishin në lojë mund ta kishin interpretuar ndryshe lojën. Nuk mund t’ja hedhim fajin një lojtari të veçantë. Unë e shoh golin që te momenti kur humbim topin. Nuk është problem fizik. Skuadra kur ka problem fizik nuk mund të vrapojë. Ne nuk ndenjëm në pritje.

Problemi ishte i koordinimit të lëvizjeve që në momentin që topi ishte te mbrojtësit tanë. Ndeshje e vështirë me Laçin? Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ke në fillim ndeshjen e Kupës. Të mbarojmë njëherë ndeshjen e Kupës, pastaj të shikojmë për Laçin“.