Jasir Asani, një nga sulmuesit më të mirë të Partizanit në dekadën e fundit, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, u ka bërë një analizë të kuqve, ku ka treguar se Partizani ka gjithçka në dorë për të fituar titullin. Një nga lojtarët kryesorë të Kisvardës në Hungari, flet edhe për Kombëtaren, ku pranon se i ka shkuar ftesë, por nuk i është bashkuar për shkak të impenjimeve me klubin.

Jasir, po luani sezonin e dytë në Hungari me Kisvardën, si ndiheni?

Është e vërtetë, po luaj sezonin e dytë dhe po më ecën mirë. Jemi të lumtur, sepse po fitojmë shumicën e ndeshjeve. Të gjithë po japim maksimumin dhe po bëjmë shumë mirë. Deri më tani jam i lumtur këtu. Në vazhdim duhet të punoj akoma më fort për të arritur qëllimet e mia. Për momentin gjithçka është në rrugën e duhur.

Keni pasur një ecuri të kënaqshme atje, e prisnit?

E prisja, sepse kam bërë përgatitje shumë intensive. Në kompeticionet europiane bëmë shumë mirë, jemi futur në historinë e klubit. Personalisht e prisja këtë ecuri timen, sepse jam stërvitur çdo ditë në maksimumin tim për të arritur qëllimet që i kam vënë vetes dhe objektivat e klubit. Kemi një ekip të ri dhe të gjithë po bëjmë më të mirën tonë për të fituar çdo ndeshje dhe deri më tani po shkon mirë.

Si ju është dukur Partizani në këtë sezon? A i kanë forcat për të fituar titullin?

Unë mendoj se Partizani ka gjithçka në dorën e vet në këtë sezon. Kanë një ekip shumë të mirë, të aftë për të fituar titullin, objektiv për të cilin Partizani hyn çdo vit. Me këtë skuadër mund t’ia dalë, sepse kanë një grup cilësor, por duhet të bashkohen dhe të bëhen një për të arritur synimin e madh.

Që kur keni ikur ju dhe disa lojtarë të tjerë, “demat” kanë vuajtur shumë në derbi. Çfarë u duhet atyre për të mposhtur Tiranën?

Derbi nuk parashikohet asnjëherë dhe përcaktohet nga detaje të vogla, që ndonjëherë janë edhe të pashpjegueshme. Besoj se më shumë fati nuk ka qenë me Partizanin. Gjithsesi, mendoj se Partizani do të dalë fitimtar në derbin e radhës. Janë ekip plot cilësi, duhet të japin më të mirën dhe maksimumin për fanellën e Partizanit.

Duhet ta dinë çfarë kanë veshur, sepse ajo fanellë është shumë e rëndë. Çdo lojtar të japë maksimumin dhe t’i bëjnë të lumtur tifozët në çdo ndeshje. Partizani duhet të futet në çdo ndeshje me bindjen se do ta fitojë, pasi i kanë aftësitë.

Dy humbjet e fundit janë thjesht një dobësi e momentit apo Partizani ka probleme?

Unë mendoj se kanë qenë dy ndeshje të dobëta, të ndikuara më së shumti nga lodhja për shkak të ngjeshjes së kalendarit, si dhe impenjimeve me Kombëtaren. Gjithashtu, fitorja në këto sfida mund t’u jetë dukur më e lehtë seç duhet. Por nuk ka beteja të lehta, sepse çdo ekip kërkon ta mposhtë Partizanin, prandaj duhet të bëhen të gjithë bashkë për të bërë më të mirën dhe t’i marrin ndeshjet një e nga një.

Si një sulmues që jeni, si ju duket ofensiva e Partizanit në këtë sezon? Mund të bëjnë më mirë?

Sigurisht që sulmi i Partizanit mund të bëjë më shumë, pasi janë lojtarë të një niveli të lartë për Superioren. Lojtarë si Skuka apo Cara po bëjnë mirë, por duhet të japin akoma më shumë dhe të rriten ende si lojtarë. Por për manovrën e sulmit duhet të ndihmojnë të gjithë, mbrojtësit dhe mesfushorët. Bitri, Murataj, Telushi apo Hadroj janë lojtarë shumë të vlefshëm për skuadrën.

Si një sulmues që jeni, si ju duket ofensiva e Partizanit në këtë sezon?

Mund të bëjnë më mirë? Sigurisht që sulmi i Partizanit mund të bëjë më shumë, pasi janë lojtarë të një niveli të lartë për Superioren. Lojtarë si Skuka apo Cara po bëjnë mirë, por duhet të japin akoma më shumë dhe të rriten ende si lojtarë. Por për manovrën e sulmit duhet të ndihmojnë të gjithë, mbrojtësit dhe mesfushorët. Bitri, Murataj, Telushi apo Hadroj janë lojtarë shumë të vlefshëm për skuadrën.

A janë pak 12 gola në 11 ndeshje deri më tani?

Po, edhe unë mendoj se janë, por mendoj se gradualisht ata do të përmirësohen, pasi shumica janë djem të rinj dhe u duhet pak kohë. E rëndësishme është që të fitojë ekipi. Nuk ka rëndësi kush shënon, thjesht të gjithë bashkë të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe me siguri do t’ia dalin të shënojnë më shumë gola.

Nga cili prej sulmuesve të Partizanit prisni më shumë në këtë sezon?

Mund të bëjnë më mirë? Unë mendoj se Cara dhe Skuka mund të bëjnë diferencën, sepse të gjithë e dinë se sa talent kanë ata. Veçanërisht Skuka po bën shumë mirë dhe bashkë me Carën, duhet ta marrin Partizanin për dore dhe ta dërgojnë te fitoret. Gjithashtu, mendoj se Telushi është një nga mesfushorët më të mirë në Superiore, megjithëse ende nuk është në maksimumin e tij.

Cili ju duket rivali më i fortë i Partizanit për titullin?

Partizani duhet t’i konsiderojë të gjithë si rivalë kryesorë. Nuk mund të konsiderosh asnjë ekip si më të lehtë, sepse të gjithë po bëjnë një sezon shumë të mirë. Gjithsesi, besoj se Tirana, Vllaznia dhe Kukësi do të jenë rivalët kryesorë për Partizanin deri në fund të sezonit.

Si është ta shohësh Bitrin si kapiten?

Bitri po bën një sezon shumë të mirë. U bënë disa vite te Partizani dhe e di se çfarë do të thotë të veshësh atë fanellë. E meriton të jetë kapiten. Normal edhe Telushi, gjithashtu dhe Albani, që janë liderë të lindur dhe e kanë ndihmuar Partizanin të shpallet kampion pas shumë vitesh. Bitri po luan dhe është më i ingranuar me ekipin, prandaj e meriton shiritin. Po bën një sezon të mirë dhe uroj të vazhdojë me këtë ritëm dhe të ndihmojë Partizanin!

Do të donit të ishit me Kombëtaren ndaj Katarit?

Unë do të doja të isha pjesë e Kombëtares në çfarëdolloj ndeshjeje, por në këto dy miqësore nuk munda të vija për shkak se kisha ndeshje shumë të rëndësishme me klubin dhe ishte nevoja e ndihmës sime. Kështu, klubi e pa të arsyeshme të mos më japë leje, sepse përpara janë ndeshje të rëndësishme për objektivat e Kisvardës. Mendoj se ftesa në adresën time do të mbërrijë përsëri dhe do të isha shumë i lumtur nëse do të ndodhte kështu.