Partizani ka marrë tre pikë shumë të rëndësishme ndaj Dinamos në derbi, për të mbyllur i shkëputur nga ndjekësit ndeshjet e javës së 13-të, para pauzës për kombëtaret.
Në ndeshjen luajtur në ”Elbasan Arena”, të dy skuadrat kanë zhvilluar një futboll të shpejtë, por me shumë pasime gabim në fazën sulmuese. Golat erdhën në pjesën e dytë të takimit ku Cara dhe më pas Rrapaj shënuan gola identikë me depërtime në qendër të mbrojtjes së bluve, duke bërë të pavlefshëm barazimin e përkohshëm të Zabërgjës.
Dinamo u mundua të gjente barazimin deri në fund, por ishte e pasaktë në rastet që krijoi, duke regjistruar kështu humbjen e parë që kur drejtimin e skuadrës e mori Ilir Daja.
DINAMO-PARTIZANI 1-2
54′ Zabërgja / 48′ Cara, 62′ Rrapaj