Vjen edhe afrimi i katërt për AF Elbasanin brenda dy ditësh. Ish-sulmuesi i Tërbunit të Pukës, Albi Xhebrahimi është emri më i ri që i është bashkuar organikës së trajnerit Nevil Dede.

Ky i fundit e ka stërvitur edhe më parë sulmuesin, pikërisht tek Erzeni, me të cilët u ngjit në elitë. Tashmë, pritet vetëm zyrtarizimi i klubit verdheblu për firmën e ish-sulmuesit të Tërbunit.

Me pukjanët, Xhebrahimi u aktivizua në 21-ndeshje, ku shënoi edhe pesë gola dhe realisht, ky është një largim me mjaft peshë për Tërbunin, pasi bëhet fjalë për një futbollist kyç në repartin e sulmit tek ky ekip.

Kujtojmë këtu se, ditën e sotme AF Elbasani firmosi edhe me mesfushorin shkodran të dalë nga Akademia e Vllaznisë, Eraldo Deda. Në këtë mënyrë skuadra e drejtuar nga Nevil Dede ka filluar të marrë formë, megjithatë përforcimet do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme.
Maringlen ZHIVANI