Ekipi i Vllaznisë ka zhvilluar stërvitjen e rradhës, duke vijuar përgatitjet për ndeshjen e parë të Conference League ndaj Universitatea Kraiova. Pasditën e sotme, grupi i futbollistëve ka qenë i pothuajse i plotë në seancën stërvitore, me përjashtim të mbrojtësit Esin Hakaj, teksa ai po kalon një dëmtim të lehtë.

Në këtë seancë stërvitore, futbollistët u panë të përkushtuar për të qenë gati për ndeshjen e parë të Conference League ndaj Universitatea Kraiova, që do të luhet me 21 korrik.

Stërvitja, e cila u zhvillua në kushte të mira, zgjati pak a shumë rreth dy orë. Trajneri Mirel Josa punoi me ritëm të lartë, teksa fillimisht skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgatitësin atletik Mikhail Tzokov dhe më pas, gjithçka është zhvendosur në punën me top.

Aspekti tekniko-taktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në veprime ofensive dhe defensive kanë qenë në fokusin e trajnerit të Vllaznisë, Josa. Edhe për të paktën një javë, ekipi do të vijojë stërvitjet në Pressbaum të Austrisë, ku do të zhvillojë edhe ndonjë miqësore tjetër.

Pas datës 13-korrik, ekipi pritet të largohet nga Austria, për të përmbyllur fazën përgatitore atje dhe për t’u rikthyer në Shkodër. Trajneri Josa duket se është ambientuar mirë me ekipin dhe futbollistët e rinj të ardhur në merkato, të cilët reflektojnë frymën dhe grintën që ai u përcjell.

Poashtu, trajneri Josa e ka ndërtuar skuadrën sipas ideve të veta dhe një gjë e tillë pritet të japë frytet e punës në vazhdim. Grupi është i plotë, ndërsa nga dita në ditë futbollistët janë parë gjithnjë e më në formë të mirë fizike.
Maringlen ZHIVANI