Drejtuesit e Vllaznisë kishin premtuar se deri në fund të qershorit skuadra do të ishte gati për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, por kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur dhe me shumë të ngjarë nuk do të ndodhë as deri në fund të korrikut. Zhvillimet politike në vend të ditëve të fundit, padyshim që do të kenë ndikimin e vet edhe tek sporti e futbolli.
Të paktën nga sa thuhet, ndryshimet do të jenë të pritshme edhe në drejtimin e Vllaznisë teksa përflitet edhe largimi i drejtuesve të saj. Por gjithsesi, deri në fillimin e muajit gusht, kjo situatë pritet të vijojë në të njëjtën mënyrë dhe kuptohet se kjo gjë nuk është aspak pozitive.
Ndërkohë, në këtë situatë futbollistët që kanë mbyllur sezonin e fundit ndjehen të pasigurtë për të ardhmen e tyre dhe për këtë arsye, kanë filluar të mendojnë për t’u larguar. Përveç të rinjve Hoxha e Qardaku, së fundi është larguar edhe mesfushori Alsid Tafili. 31 vjeçari duke parë që gjërat nuk po shkojnë si duhet tek kuqeblutë, ka zgjedhur të firmosë për Lirinë e Prizrenit.
Tafili ndërkohë mund të mos jetë i fundit që do të largohet nga Shkodra. Burime pranë skuadrës bëjnë të ditur se edhe të tjerë titullarë të saj janë gati për t’u larguar. Një situatë e tillë mund të precipitojë edhe më keq në ditët në vijim sepse ndryshimi i drejtuesve mund të zgjasë jo pak.
Nga ana tjetër, Federata Shqiptare e Futbollit duket se do të caktojë datën 24 gusht për nisjen e kampionatit të ri dhe Vllaznia duket shumë e vonuar në këtë drejtim. Për të qenë në rregull, ekipi duhej të niste stërvitjen javën e ardhshme, por kjo është e sigurtë se nuk do të ndodhë. Ngjitja në Superligë solli shpresën e ndërtimit të një skuadre ndryshe, por vështirë se kjo do të ndodhë.
© shkodrasport.com