Skuadra matjane ka arritur një barazim me vlerë në transfertë, duke ndalur 2-2 Ilirinë e Fushë-Krujës, në ndeshjen e javës së dhjetë të kampionatit. Me këtë rezultat, ekipi i drejtuar nga trajneri Nikaj ka forcuar për momentin pozitat në vendin e gjashtë të renditjes.
Një nga dy golat e skuadrës matjane u realizua nga mbrojtësi lezhjan Patrik Fetaj, i cili po zhvillon një sezon mjaft të mirë në repartin defensiv.
“Do të doja që goli të vinte me fitoren”
Në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport”, Fetaj u shpreh i kënaqur për golin e realizuar, por i zhgënjyer që skuadra nuk arriti të siguronte fitoren:
“Do të dëshiroja që goli i shënuar të shoqërohej me fitoren e skuadrës sonë, por fati në këtë ndeshje nuk ishte me ne.”
“Treguam karakter dhe organizim në fushë”
Mbrojtësi 27-vjeçar theksoi se skuadra matjane zhvilloi një lojë të mirë dhe tregoi karakter, pavarësisht vështirësive të transfertës në Fushë-Krujë:
“Duke pasur parasysh se luanim në një fushë të vështirë siç është ajo e Fushë-Krujës, skuadra në tërësi tregoi karakter dhe ishte e organizuar në të gjitha fazat e lojës. Ishim pranë fitores, por u ndëshkuam në fund me golin e barazimit.”
Fetaj, që prej tre sezonesh mbron ngjyrat e skuadrës matjane, është shndërruar në një nga pikat më të forta të mbrojtjes dhe një element me përvojë për grupin.
Sfida e radhës: Pritet Pogradeci
Në fundjavë, matjanët do të përballen me Pogradecin në stadiumin “Liri Ballabani”. Edhe pse do të luhet para tifozëve vendas, kjo përballje pritet të jetë mjaft e vështirë, për shkak të pozicionit në renditje dhe pretendimeve që kanë liqenorët për sezonin e ardhshëm.
“Ndeshjet me skuadrën pogradecare kanë qenë gjithmonë luftarake, dhe e tillë do të jetë edhe ajo e kësaj jave. Jam optimist se skuadra do të dijë të tregojë cilësitë më pozitive që disponon. Marrja e tre pikëve mbetet objektivi ynë kryesor. Në fushë të fitojë më i miri,” – u shpreh Fetaj në mbyllje.
Pas dhjetë javësh kampionat, skuadra e Nikajt renditet në vendin e gjashtë me 13 pikë, duke mbajtur gjallë ambiciet për një pozicion më të lartë në renditje.
✍️ Shkruar nga: Nderim Goci
Data e publikimit: [04/11/2025]
️ Burimi: “Shkodra Sport” / Portal Sportiv







