
Skepticizmi “Unë nuk jam krejtësisht dakord me atë që lexova sot (dje) në gazetë, teksa Smajli thoshte që Vllazninë mund ta shohim nga java në javë. Një lojtar duhet të jetë ashtu siç është, edhe Smajli, të cilin e simpatizoj. E di që është tepër luftarak dhe këtë kërkon t’ua imponojë edhe të tjerëve. Ai është optimist për Vllazninë e sezonit të ri dhe një lojtar i tillë duhet të jetë. Edhe unë kam dëshirën e mirë, ashtu siç edhe Smajli dhe të tjerët, por nuk ndihem shumë optimist se Vllaznia e këtij sezoni të jetë ajo që ne presim prej vitesh. Pra, nuk është e ndërtuar për të qenë kampione e vendit. Starti i kësaj skuadre nuk më ngroh pasi, nëse do të ishim pretendetë, këtë duhet ta kishim treguar në fushën tonë me ekipin kampion dhe me një prej kundërshtarëve tanë direkt në këtë sezon futbollistik. Megjithatë, kjo nuk është tepër domethënëse, pasi mund të jetë vetëm fillimi. Unë dua ta besoj, por nuk jam krejt i bindur se kjo Vllazni dhe kjo skuadër do të jetë ajo që të jetë kampione e vendit. Ky është mendimi im personal në këtë drejtim”, – thotë Ndoja.
Afrimet Për mjeshtrin Ndoja, akuzat nuk duhet të shkojnë mbi lojtarët e ardhur rishtas nga merkatoja, pasi ngërçi është më i gjerë se kaq. Ai mendon se Vllaznia ka qenë e paqartë në zgjedhjet e saj që në fillim, teksa ka afruar lojtarë për të shtuar numrin dhe jo cilësi. Për të do të ishin të mjaftueshëm 3 kualitete për të blinduar skuadrën. Nëse do të kishte ndodhur kështu, atëherë po, mund të mendonte për titullin. Teksa komenton edhe rivalët, ai qartëson se kuqeblutë nuk janë në të njëjtin nivel me ta. “Duhet të jem i qartë në atë që po them. Unë nuk e kam me ata lojtarë që janë afruar tek ekipi i Vllaznisë në këtë sezon. Ata janë elementë me cilësi dhe pritet që të justifikojnë investimin e bërë për ta. Por, ne nuk mundëm të afronin në gjirin e skuadrës sonë ata emra që sot i janë bashkuar Skënderbeut, Tiranës apo Flamurtarit. Lojtarë që mund të bëjnë diferencën për kampionatin tonë. Dy-tre afrime të goditura që bëjnë diferencën në kampionat, mund të ofronin më shumë siguri për të korrur sukses. Unë do të kisha sugjeruar që mos të mos bëheshin blerjet për numër, por për cilësi”, – deklaron Paulin Ndoja, i cilësuar si “gardiani” më i suksesshëm i Vllaznisë.
Admir URUÇI