Episodi i penalltisë që vendosi ndeshjen Milan- Fiorentina vazhdon të shkaktojë debate të mëdha në futbollin italian. Të gjithë sytë janë tani te Gianluca Rocchi, drejtuesi i arbitrave italianë, i cili pritet të shprehet zyrtarisht për rastin dhe për masat disiplinore që mund të prekin arbitrin Livio Marinelli dhe kolegun e tij në VAR, Rosario Abisso.
Ky i fundit kishte thirrur Marinellin për një rishikim në monitor (On Field Review) pas kontaktit në zonë mes Parisit dhe Gimenez, episod nga i cili lindi penalltia për kuqezinjtë.
Aktualisht nuk është ende e qartë nëse dy gjyqtarët do të justifikohen apo do të ndëshkohen për vendimin e tyre, por zyrtarizimi pritet shumë shpejt. Në pasditen e sotme, gjatë emisionit “Open VAR”, do të analizohet në detaje situata e ndodhur në “San Siro” dhe do të merret një vendim përfundimtar mbi fatin e tyre.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, në rast se AIA vendos për ndëshkim, ai nuk do të jetë i ashpër: Marinelli dhe Abisso pritet të pezullohen për rreth dy ndeshje të Serie A, për t’u rikthyer më pas në fundjavën e ardhshme, ndoshta me role të ndërruara pas turit të mesjavës.
Një vendim i tillë do të shërbente për të dhënë një sinjal korrigjues, pa ndikuar ndjeshëm në ecurinë e arbitrave.
Nga ana tjetër, Fiorentina mbetet e pakënaqur dhe ka vazhduar të kritikojë ashpër vendimin e penalltisë, të cilin shumë analistë, mes tyre edhe Graziano Cesari, e kanë cilësuar si gabim teknik, duke theksuar se “kontakti me Gimenezin ishte i lehtë dhe nuk justifikonte një penallti”.