Me golin e shënuar të hënën ndaj Vorës, Bedri Greca është ngjitur në krye të listës së golashënuesve me 16 rrjeta të realizuara, po aq sa Raboshta dhe Mandela. Një garë e fortë për “Këpucën e Artë”, por sulmuesi i Elbasanit nuk është nga ata që i numëron ato, edhe pse veçon golin ndaj Bylisit që ngriti peshë tifozët në “Elbasan Arena”.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 33-vjeçari shprehet i bindur se në fund skuadra do të shpallet kampione. Ai e konsideron Elbasanin si një klub fantastik dhe hedh që tani sfidën për në Superiore, duke i cilësuar verdheblutë si një nga ekipet më të forta në elitë.
Greca, po i numëroni golat e këtij sezoni?
Unë mundohem që të jap maksimumin në çdo ndeshje. Llogarinë e golave do ta bëjmë kur të mbarojë ndeshja e fundit përballë Bylisit.
E keni thënë më herët që nuk është fiksim “Këpuca e Artë”, por meqenëse arritët deri në këtë pikë, e prisni ta fitoni?
Nuk di ta them nëse do ta fitoj dot apo jo. Por për një gjë jam i sigurt, që Elbasani do të shpallet kampion.
Cili ka qenë goli më vendimtar i këtij edicioni ose që ju ka shijuar më shumë?
Të gjithë golat janë të rëndësishëm për një futbollist dhe ekip. Por unë dua të veçoj golin kundër Bylisit në “Elbasan Arena”. Ishte goli i parë i takimit dhe në momentin e shënimit kam vrapuar te “Tigrat”. Ishte një festim shumë i veçantë, u përqafova me ta, edhe me 8 mijë tifozë që ngritën stadiumin në peshë.
Nëse nuk do të kishe vuajtur nga dëmtimi, do të kishe shënuar edhe më shumë?
Këtë nuk di ta them, por isha në formë të mirë. Gjithsesi, me rëndësi tani është që jam rikthyer në formë dhe po kontribuoj për ekipin tim në fushë.
Çfarë synon Elbasani në dy javët e fundit, ku duket se do të vendoset edhe titulli?
Elbasani i ka synimet e qarta. Ai është vendi i parë dhe ne do të japim gjithçka për ta marrë atë.
Vitin tjetër në Superiore, si e prisni Elbasanin aty?
Shkurt, një nga ekipet më të forta në Superiore. Duke njohur drejtuesit e këtij ekipi e them me plot gojën që do të ndërtojnë një klub fantastik, konkurrues dhe fitues. E ardhmja në Shqipëri quhet Elbasan. Duke parë që tifozët janë të shumë të dhënë pas ekipit, i mbushin shkallët e stadiumit në çdo ndeshje, e ardhmja është e sigurt.