Shkruar nga Endri ÇINARI
Përballjet mes Vllaznisë dhe Bylis në vitet e fundit kanë prodhuar emocione, tension dhe shpeshherë rezultate vendimtare për fatet e sezonit. Statistikat flasin qartë për një epërsi të kuqebluve, por edhe për duele të forta, sidomos në transfertën e vështirë të Ballshit.
Dueli i fundit në kampionat, i luajtur në Shkodër në javën e 16-të, u mbyll në barazim 1-1. Kallaku kaloi në avantazh Vllazninë, ndërsa Mustafa barazoi për mallakastriotët, në një sfidë të luftuar deri në minutat e fundit. Ky ishte një nga dy barazimet e regjistruara mes këtyre skuadrave që prej vitit 2023, së bashku me 0-0, duke treguar një ekuilibër të përkohshëm në duelet direkte.
Megjithatë, nëse zgjerojmë panoramën tek gjashtë përballjet e fundit, Vllaznia mban epërsinë me katër fitore. Mes tyre spikat suksesi 1-0 në Ballsh në fazën e parë të këtij kampionati, i vendosur nga një autogol i Peraltës. Po ashtu, shkodranët kanë triumfuar 3-0, 2-0 dhe 1-2 ndaj Bylisit, duke treguar se dinë të godasin në momentet kyçe dhe të administrojnë avantazhin.
Nga ana tjetër, Bylisi ka arritur dy fitore 1-0 në stadiumin “Adush Muça”, duke e kthyer fushën e vet në një terren të vështirë për kuqeblutë. Fitorja e fundit e ballshiotëve në Shkodër daton më 12 mars 2021, kur triumfuan 1-2 në “Loro Boriçi”.
Një kapitull më vete në historinë e afërt të këtij dueli është edhe përballja e fundit në Kupë. Në çerekfinalen e parë të këtij sezoni, Vllaznia triumfoi 0-1 në Ballsh, falë golit të Kastratit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Ishte një fitore me peshë, jo vetëm për rezultatin minimal, por për mënyrën se si kuqeblutë menaxhuan ndeshjen në një fushë tradicionale të vështirë.
Në prag të sfidave të radhës, statistikat flasin për një avantazh të lehtë të Vllaznisë në përballjet direkte, por historia ka treguar se duelet me Bylisin nuk falin asnjëherë. Pavarësisht objektivave të ndryshëm në kampionat, mallakastriotët kanë ditur të bëjnë rezistencë, ndërsa kuqeblutë mbështeten tek tradita dhe momenti pozitiv i fundit në Ballsh për të ruajtur epërsinë historike në këtë çiftim.


