Shkruar nga Endri ÇINARI
Gjysmëfinalet e Kupës do të rikthejnë një përballje që tashmë ka aromë rivaliteti të fortë: Vllaznia përballë Dinamos. Dy skuadrat do të kryqëzojnë sërish rrugët në këtë fazë të kompeticionit, duke përsëritur skenarin e sezonit të kaluar 2024-25, kur pikërisht në gjysmëfinale u vendos fati i kuqebluve. Një duel që premton emocione, histori dhe shumë tension sportiv, pasi të dy ekipet vijnë me objektiva të qarta për të prekur finalen.
Sezoni i shkuar la një kujtim të hidhur për shkodranët. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shkodër, gjithçka u mbyll me një barazim pa gola, një rezultat që e la gjithçka të hapur për takimin e kthimit. Por sfida në transfertë u shndërrua në një spektakël të vërtetë futbolli, ku dinamovitët arritën të triumfonin 4-3 dhe të siguronin kalimin në finale, duke lënë Vllazninë jashtë garës për trofeun.
Ajo përballje mbetet ende e freskët në kujtesën e tifozëve. Në një moment të ndeshjes, kuqeblutë e panë veten në disavantazh të thellë 4-0, duke dhënë përshtypjen se gjithçka ishte mbyllur shumë herët. Megjithatë, reagimi i tyre në minutat e fundit ishte i jashtëzakonshëm. Nëntë herë kampionët e vendit arritën të shënonin tre herë radhazi, duke e kthyer fundin e takimit në një dramë të vërtetë sportive dhe duke iu afruar një përmbysjeje që për pak sa nuk u bë realitet.
Këtë herë, përveç objektivit madhor për të siguruar një vend në finale, për Vllazninë kjo gjysmëfinale shihet edhe si një mundësi për të marrë revanshin e shumëpritur ndaj rivalit kryeqytetas. Eliminimi i sezonit të kaluar mbetet ende një “peng” për shkodranët, të cilët do të synojnë të shkruajnë një histori ndryshe në këtë kapitull të ri të Kupës.
Përballja mes dy skuadrave pritet të jetë e ndezur jo vetëm në fushë. Edicioni 2025-26 ka treguar se rivaliteti mes klubeve nuk kufizohet vetëm te 90 minutat e lojës. Polemikat, deklaratat dhe “kunjat” në distancë mes drejtuesve të të dy ekipeve kanë qenë të shpeshta gjatë sezonit, duke i dhënë këtij dueli edhe më shumë ngarkesë emocionale. Në një atmosferë të tillë, gjysmëfinalja premton të jetë shumë më tepër sesa një ndeshje futbolli: një betejë prestigji, historie dhe krenarie.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


