Për mbrojtësin e Laçit, Renato Malota, me rastet e panumërta që kanë krijuar në përballjen ndaj Podgoricës nuk duhet ta kishin lënë që ndeshja të shkonte deri te shtesat, por punën ua vështirësoi fakti që kundërshtari u mbrojt me 11 vetë.
Megjithatë, në prononcimin për “Panorama Sport” pas ndeshjes, lezhjani pohon se kanë dominuar dhe rëndësi pas një ndeshjeje të tillë ka kualifikimi dhe për momentin t’i gëzohen këtij fakti.
“Ishte një ndeshje shumë e ndërlikuar, pasi siç e patë, ata u mbrojtën me 11 lojtarë gjatë gjithë kohës dhe ishte shumë e vështirë që t’i depërtonim. Patëm shumë raste, por humbën edhe shumë mundësi të mira shënimi, por me atë çka treguam, e merituam kualifikimin. Po të ishim treguar pak më efikasë te rastet e pastra që patëm, duhet ta kishim mbyllur brenda 90 minutave, por futbolli i tillë është dhe rëndësi ka që u kualifikuam dhe jemi në turin tjetër”, u shpreh fillimisht 32- vjeçari.
Në lidhje me kundërshtarin e radhës me të cilin do të përballen, Malota pohon se është një ekip me financa të larta, por kurbinasit do të japin maksimumin në fushë e do të bëjnë detyrën e tyre.
“Ne jemi me këmbë në tokë, ndeshjen e parë e kemi brenda dhe do mundohemi të japim maksimumin. Nuk kemi shumë njohuri për kundërshtarin, e dimë që është një ekip mjaft i mirë rumun dhe me financa të larta, por ne do të mundohemi të bëjmë punën tonë dhe t’i vlerësojmë aq sa duhet dhe në fund të shpresojmë të marrim maksimumin”, u shpreh në prononcimin enkas për gazetën një nga futbollistët më me eksperiencë në ekipin që drejtohet nga Shpëtim Duro.