Ndeshja që do të zhvillohet sot pasdite në stadiumin “Gjorgji Kyçyky” të qytetit të Pogradecit, mes vendasve dhe Besës, përbën një nga sfidat më interesante të javës së tretë të kampionatit të Kategorisë së Parë. Ecuria e mirë e skuadrës kavajase në dy javë e para të kampionatit shton dukshëm koeficientin e vështirësisë dhe rëndësisë e ndeshjes.
“Përballja ndaj Besës ka një shkallë të lartë vështirësie, jo vetëm për ecurinë e skuadrës kundërshtare në këto dy javë, por dhe për pretendimet që kanë kavajasit në këtë edicion. Jam optimist se fitorja do të anojë në favorin tonë.
Këtë e bazoj jo vetëm te fryma pozitive që ekziston në skuadër, por dhe te serioziteti që kanë pasur futbollistët në marrjen e ngarkesave stërvitore”, shprehet mes të tjerash për “Panorama Sport” trajneri Samuel Nikaj. Nisur nga rëndësia që ka ndeshja në fjalë, pritet që në shkallët e stadiumit “Gjorgji Kyçykut” të jenë të pranishëm një numër i konsiderueshëm tifozësh, nga të dyja qytetet.
Trajneri Nikaj nuk do ta ketë të plotë ekipin për sot, pasi pritet të mungojnë për shkak dëmtimesh dy futbollistë të formacionit bazë, Miklovan Peren dhe Kostika Beçka. Për gatishmërinë e futbollistëve do të vendoset deri në orët e fundit para ndeshjes.