Nga Endri ÇINARI

Tek Vllaznia këtë sezon kanë formuar një nga sulmet më cilësore të kampionatit, ku golashënuesit më të mirë të kampionatit në dy sezonet e fundit, Bekim Balajt i janë bashkuar edhe dy emra me shumë cilësi. Fjala është për Lirim Kastratin dhe Çarls Bismark, dy futbollistë nga të cilët pritet shumë në rradhët e shkodranëve. Kjo edhe për sakrificën ekonomike që klubi ka bërë që dy elementë të tillë të jenë pjesë e skuadrës dhe nën urdhërat e trajnerit Martini gjatë këtij edicioni.

Dhe sulmuesit kanë filluar të japin shenjat e para, me Bismark që ishte protagonist absolut në fitoren e fundit 4-1 të kuqebluve ndaj Partizanit. Ku ganezi përveç se shënoi golin e tij të parë me Vllazninë, ishte edhe fituesi i dy penalltive që u shndërruan në gol nga Balaj. Duke treguar menjëherë se është përshtatur siç duhet me idetë e trajnerit, por edhe me shokët e ekipit. Tashmë në rradhët e 9 herë kampionëve presin edhe rrjetën dhe zhbllokimin e Lirim Kastratit, shkruan shkodrasport.com

I cili po ashtu duket se ka fituar formën më të mirë dhe po luan titullar nga ndeshja në ndeshje. Për 26-vjeçarin një “penalizim” për të qenë disi larg portës është skema 3-5-2 që aplikon Martini. Dhe në këtë mënyrë ish-futbollisti i Dinamo Zagreb duhet të “sakrifikohet” në krah, ku ka zhvilluar kilometra pafund duke ndihmuar jo vetëm në sulm, por edhe mbrojtje. Në një pozicion disi të panjohur për të, por që u vlerësua nga ana e stafit teknik dhe tifozëve për grintën dhe shpirtin luftarak të shfaqur.

Dhe pavarësisht pozicionit ndoshta “jo natyral” për numrin “7-të”, performancat e tij kanë qenë të një niveli shumë të lartë. Madje duke u shpallur edhe si njeriu i ndeshjes në ndeshjen e fundit të fituar ndaj Elbasanit në shifrat 1-0. Tashmë nga kosovari priten edhe golat përveç cilësive dhe shpirtit të garës të padiskutueshëm. Kjo edhe për t’iu bashkangjitur dyshes Balaj-Bismark apo edhe Males, të cilët i kanë hapur llogaritë e tyre në kampionat. (www.shkodrasport.com)