Sulmuesi i PSG, Kilian Mbape, pas fitimit të çmimit “Lojtari më i Mirë i Vitit” nga “Globe Soçer Aëards”, u intervistua nga CNN. Një prej temave për të cilat djaloshi u pyet ishte Reali i Madridit, ekip që po mundohet të sigurojë shërbimet e 23-vjeçarit.
Real Madridi është gati të bëjë çmos që të sigurojë shërbimet e Kilian Mbape në verën e ardhshme, duke parë që djaloshit do t’i mbarojë kontrata me parisienët.
Madje është konstatuar se dhe vetë lojtari dëshiron të bashkohet me ekipin e Ançelotit. Por në një intervistë me CNN për sa i përket kësaj çështje, fituesi i Kupës së Botës surprizoi me përgjigjen e tij të prerë.
Reali ndeshet me PSG-në në Ligën e Kampioneve dhe sigurisht që Mbape kërkon që të triumfojë me klubin e tij para se të marrë vendimin për të ardhmen.
Mbape u shpreh: “E vetmja gjë që kam në mendje këto momente është ta mundim Real Madridin në Ligën e Kampionëve. Duhet të jemi gati për sfidat në shkurt dhe në mars.
Tani është momenti i duhur. Kemi hyrë në pjesën më të rëndësishme të lojës. Këtë vit duam të bëjmë një hap të madh. Dy vitet e fundit u afruam shumë duke shkuar në finale dhe gjysmë-finale, por këtë vit duam ta fitojmë me çdo kusht” përfundoi francezi.