Asnjë person i interesuar nuk u shfaq në ankandin e parë për shitjen e 66% të aksioneve të klubit të Tiranës, që zotërohen nga presidenti Refik Halili.

Kompania Halili. shpk, në zotërim të kreut të klubit bardheblu, ka një borxh të vjetër ndaj familjes Preza. Si pasojë e një ndërtimi që kompania e Halilit ka kryer në tokën e familjes Preza.

Që ka fituar prej kohësh të drejtën e dëmshpërblimit në të gjitha seancat e gjyqësorit, por ende nuk është shlyer nga Halili. Shkak prej të cilit aksionet e presidentit bardheblu janë nën sekuestro.

Borxhi shkon në 2.4 mln euro bashkë me kamatvonesat, ndërkohë që aksionet e Halilit (66%) dolën në shitje për një vlerë 161 720 400 lekë.
Në zyrën përmbarimore u paraqitën përfaqësues të palëve të interesit: saktësisht Darli Preza dhe Refik Halili.

Në një prononcim për SuperSport, administratori i zyrës përmbarimore Albase shpk, Baftjar Nela theksoi se nuk pati ofertues dhe as marrëveshje mes palëve. Ndërkohë që zbuloi se çfarë pritet të ndodhë.

“Ndërkohë që priteshin, nuk pati ofertues. Palët ishin të pranishme në ankand. Dhe kreditorët dhe debitori. Firmosën procesverbalin. U lexua me zë të lartë dhe e firmosën.

Nga ky moment, brenda 10 ditëve, në bazë të 500/57-s, do të çojmë një shkresë që brenda 5 ditëve do të ekzekutojmë detyrimet. Dhe ulen vlerat e aksioneve deri në 30%. Mbas fazës së parë të ankandit të parë.Çfarë ndodh nëse nuk do të kemi sërish një ofertues apo të interesuar për blerjen e 66% të aksioneve të Tiranës edhe në ankandin e dytë?

Kodi e parashikon: nëse nuk ka ofertues edhe në ankandin e dytë, do t’i propozojmë në fillim kreditorit. Në vlerën e ankandit të dytë.

Nëse kreditori nuk e pranon, hiqet sekuestro dhe vazhdojmë me pasuritë e tjera. Palët ishin të pranishme, por nuk arritën asnjë marrëveshje. Nuk janë të interesuar për marrëveshje.Pala kreditore normalisht që nuk është e interesuar, sepse ka pritur prej 5 vitesh. Debitori i ka patur të gjitha mundësitë për të shlyer detyrimin. Nëse jemi në këtë gjendje, do të thotë se nuk ka dëshirë për ta ekzekutuar… “