Vllaznia e basketbollit të meshkujve u pat shpallur kampion për herë të parë në historinë e saj në sezonin 1966-67. Dhe duhej të kalonin plot 23 vite që ekipi shkodran të fitonte titullin e dytë. I takon sezonit 1999-2000 dhe jo më kot sot po ndalemi tek ky sukses.

Gazeta “Sporti Popullor” e asaj kohe, pikërisht e datës 25 qershor 1990 do t’i kushtonte vëmendjen e duhur këtij suksesi duke i lënë faqen e parë suksesit shkodran.

“Vllaznia kampione pas 23 vjetësh” është titulli i madh i saj, i shoqëruar me foton e ekipit e bërë në pallatin e sportit të kryeqytetit, pas ndeshjes së fundit të kampionatit, asaj me Dinamon të fituar me rezultatin 89-81. Protagonistë të këtij suksesi ishin Llazani me 9 pikë, Shestani (15), Gjoni (6), Kalaj (27), Zaganjori (17), Gjeçaj (13), Shatku (2) dhe Miculi.

Nderkohe ideatoret e ketij suksesi padyshim qe ishin trajneret Petrit Osmani dhe Zenel Vekshari, te cilet punuan me shume perkushtim me kete brez te talentuar sportistesh.

Vllaznia kishte mundur në ndeshjen e fundit blutë me emra të tillë si Bellova, Beqja, Beriolli, Bushati, Çarçani, Borova, Shalsi, Ndoi, Qiriaqi, Rrapi. Gazeta pas këtij suksesi i ka marrë një opinion trajnerit të Vllaznisë Petrit Osmani për secilin prej lojtarëve të tij dhe ai i ka përcaktuar në këtë mënyrë:

Kalaj: Lojtar universal që i luan me sukses të gjitha rolet. Ka një vizion shumë të mirë të fushës e gjuan saktë edhe për 3 pikë. Është lojtar i guximshëm e i sakrificës, shtylla e ekipit.

Gjoni: Lojtar anësor i pjekur, gjuajtës shumë i mirë, e njeh shumë mirë lojën me topin të cilin di ta përkëdhelë në përplasjet në tabelë. Ka kulturë loje.

Llazani: Organizator i pjekur që di ku ta shpërndajë lojën në mënyrë që skuadra të japë maksimumin e eficenës së saj. Gjuajtës i saktë.

Shestani: Mbrojtës fanatik, gjuajtës i saktë, element me vlerë për ekipin që ka forcë të ekuilibrojë rezultate të vështira.

Zaganjori: Lojtar që po e rrit nivelin e tij. Luan mjaft mirë në qendër e nën tabelë. Ka kërcim të mirë.

Idrizi: Organizator i zgjuar, i guximshëm, zëvendësues alternativ i Llazanit.

Miculi: Qendra më shtatëlartë e kampionatit tonë. Ka bërë progres në luftën në tabelë.

Shatku: është lojtar me të ardhme të madhe. Sot është vetëm 18 vjeç, shtatëlartë 1.99 m. Luan bukur në qendër, ka guxim e zgjuarsi.

Gjeçaj: Lojtar i qetë me natyrë të mirë, gjuajtës i saktë, plot talent, por që duhet të rrisë temperamentin në lojë.

Kotri: Lojtari më i moshuar i ekipit, ndihma morale e tij.

Lacuku: Lojtar me perspektivë nga brezi i të rinjve.
© shkodrasport.com