Federata Shqiptare e Futbollit ishte një nga mungesat e mëdha në zgjedhjet e fundit të zhvilluara për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Krahas thirrjes publike të presidentit të saj për moszhvillimin e një procesi të ndikuar politikisht dhe të paligjshëm, në përfundim të zgjedhjeve, FSHF nuk ka qëndruar duarkryq. Qëndrimin e saj për mospranimin e atij procesi qeveria e futbollit në vend e ka materializuar me një hap tjetër të rëndësishëm juridik.
“Panorama Sport” ka mësuar ekskluzivisht se FSHF e ka dërguar këtë çështje në KAS-in e Lozanës, me pretendimin se këto zgjedhje janë të paligjshme dhe me një sërë parregullsish që mjaftojnë për t’i bërë “nul”.
ZGJEDHJET
FSHF akuzoi publikisht se zgjedhjet e fundit në KOKSH po zhvilloheshin nën një ndikim të theksuar politik, përderisa një prej kandidatëve ishte deputet i maxhorancës si dhe kandidat për deputet i saj në zgjedhjet e 25 prillit.
Jo vetëm kaq, por edhe u evidentuan edhe të tjera parregullsi me procesin e federatave me të drejtë vote në asamble dhe mënyrës si ishte përgatitur i gjithë procesi. Një prej pretendimeve ka qenë edhe koha e pamjaftueshme e kandidatëve për të bërë fushatën.
Në pretendimet e mëparshme të FSHF-së, ka qenë edhe fakti se procesi i përgatitjes së zgjedhjeve ka qenë i paligjshëm dhe se komuniteti më i madh sportiv në vend, ai i futbollit, u përjashtua për shkak të rregullave të nxjerra gjatë procesit.
Së fundmi, gazeta ka mësuar se FSHF e ka dërguar KOKSH-in në KAS-in e Lozanës, gjykatën sportive për të marrë prej saj edhe përgjigje në lidhje me procesin, në rast se nga ana procedurale ka pasur apo jo parregullsi.
Kjo, për faktin se në KAS çështja analizohet për procedurën e ndjekur dhe rregullsinë e saj. Me këtë lëvizje, ndarja mes FSHF dhe KOKSH duket se vijon të jetë me një hendek të thellë në mes dhe mbetet për t’u parë në vazhdimësi se si do të jenë marrëdhëniet mes këtyre dy organizmave sportivë në vend.