Nga Engjell GJOLAJ

Kadri Uka është një emër që i bën nder atletikës jo vetëm në Burrel e Lezhë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Një sportist e trajner kampion i cili i ka dhuruar deri më tani plot 40 vite jetë këtij sporti dhe madje vazhdon të kontribuojë sërish për të.

Ai ka pranuar me kënaqësi të rrëfejë për gazetën “Shkodra Sport” disa nga momentet më interesante të karrierës së tij, të cilat i ka bërë në këtë intervistë të cilën mund ta lexoni më poshtë:

– z. Kadri, si e filluat sportin e atletikës?

Unë që në moshë të vogël. Në shkollë kam qenë një vrapues i mirë, dua të them më i miri. Kam lindur në Burrel, më 01.04.1964. Kam mbaruar gjimnazin atje dhe sot vendbanimi im është në Lezhë. Shkova ushtar dhe në moshën 22 vjeçare iu futa përsëri atletikës.

– Në cilin vit e filluat atletikën?

Në vitin 1985 me klubin e Burrelit, “31 Korriku”, pastaj me Teutën e Durrësit në vitet 1990-93. Në fakt kam dalë kampion me Burrelin 1988-89. Pastaj shkova te Durrësi siç e thashë më sipër. Në vitin 1994 kam kaluar te Besëlidhja.

– Disa nga sukseset tuaja?

Nga viti 1994-2006 kampion kombëtar për ngjyrat e Besëlidhjes. Kujtoj rezultatet: 1988 kampion i Shqipërisë në garat 800 dhe 1500 m për 31 Korrikun., 1989 kampion Ballkani në garën e maratonës 42 km e 159 m metra në Selanik- Greqi. Pas viteve 90-të si kampion i Shqipërisë kam marrë pjesë në Kampionatet Ballkanike: Greqi, Turqi, Beograd, Bullgari, Rumani, Maqedoni.
Kam marrë pjesë në Kampionatet Europiane në Bazel e Francë në vitet 95-96, Bazel (gjysmë-maratonë), Francë (maratonë).
Kam marrë pjesë disa herë pra, si atlet dhe trajner. Për Besëlidhjen që nga 1999 dhe në vazhdim sot 2025 edhe me ekipin kombëtar.

Që nga viti 1994-2006 kampion Kombëtar për ngjyrat e Besëlidhjes. Që nga viti 2000 kam ushtruar profesionin si atlet dhe trajner nga ku kanë dalë kampion dhe kampione djem dhe vajza në distancat: 100-200-800-1500-3000-5000 dhe 10000 metra.

– Mund të na thoni disa prej tyre?

Enrik Nikolli 100-200 m, Kristiana Pergjoka 800-1500 m, Edmond Bajraktari 3000-5000 m, Fatmir Nikolli – 800-1500-10000 m,
Ylljan Kola 100-200 m, Remark Rrozhani 100-200-400 m, Migena Lishi – 800 m, Daniela Gila 800 m.

Është interesante se kam dy futbollistë të moshës 16 vjeçare që luajnë për ngjyrat e Vllaznisë me origjinë nga Kastrati i Malësisë së Madhe: Vëllezërit binjakë Sokol dhe Simon Uldedaj. Sokoli kampion në 800 m, Simoni 100-200 m në 2025 kampion kombëtar. Noemi Filipi është 11 vjeçare, kampione 50-100 m, etj.

Nuk ka qenë e lehtë për mua që të arrij këto rezultate, por nuk do të harroj përpjekjet dhe ndihmën e prindërve të mi që më kanë ndihmuar më gjithë vështirësitë që kanë patur në ato vite. Vetëm me mund dhe sakrificë arrihet suksesi.