Pezullimi për momentin i procesit të Ankandit të Klubit të Futbollit Vllaznia, duket se ka prishur jo pak planet e sponsorit aktual Alban Xhaferi. Kjo situatë ka krijuar një pasiguri për të ardhmen e klubit dhe për rrjedhojë, edhe të investimit të tij.

Në këtë mes njeriu që ka meritën e jashtëzakonshme në suksesin e sezonit të kaluar, duket i lëkundur për të ardhmen. Si rrjedhojë kjo gjë po demostrohet edhe në fakti se asnjë prej kontratave me lojtarët që u ka përfunduar ajo, nuk është rinovuar. Kjo ka bërë që disa prej tyre të hyjnë në negociata me ekipet e tjera.

Mesfushori Herald Marku në një prononcim për mediat, e ka pranuar se ka marrë oferta nga Tirana, Partizani e Kukësi. Po ashtu edhe për mbrojtësin Dajan Shehi ka interes nga Tirana e Kukësi, ndërkohë që mbrojtësi tjetër Eni Imami kërkohet nga Partizani.

Në dyshime është edhe e ardhmja e Aleksandar Isaevskit apo ndonjë futbollisti tjetër. Të gjithë këta lojtarë, për të rinovuar me Vllazninë, kuptohet që duan kontrata më të larta dhe kjo gjë e ka vështirësuar jo pak punën për drejtuesit kuqeblu që nuk mund të shpenzojnë shuma të mëdha për mbajtjen e tyre.

Në dilemë për të rinovuar apo jo është edhe trajneri Thomas Brdariç që vazhdon të jetë në Gjermani dhe pritet të rikthehet në Shkodër ditën e shtunë. Sponsori Xhaferi e bën fakt të kryer marrëveshjen me të edhe për sezonin e ardhshëm, por derisa të hidhet e bardha në të zezë, nuk mund të quhet e zyrtarizuar.

Çështja e merkatos por edhe e shumë gjërave të tjera tek Vllaznia duket se është e lidhur me procesin e privatizimit të klubit. Palët tashmë janë në pritje të vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik që do të japë verdiktin e tij brenda pak ditësh nëse ky proces do të vijojë apo do të kthehet nga e para. Shpresat janë për të vijuar sepse ndryshe, ajo që e pëson është skuadra./SHKODRA-SPORT.COM/