Nga Endri ÇINARI

Si pikën e saj më të fortë deri në këtë pikë të sezonit ka pasur ndeshjet në shtëpi, ku shkodranët kanë marrë 4 fitore në 4 ndeshje, por edhe shënimin e golave. Me kuqeblutë të cilët kanë shënuar më shumë se kushdo deri në këto momente të kampionatit, ku skuadra e Martinit e ka gjetur 11 herë rrugën e rrjetës. Duke pasur kështu sulmin më të mirë në Superligë, e ndjekur nga Egnatia dhe Dinamo të cilat deri më tani kanë shënuar 7 herë.

Por, ajo që bie në sy tek 9 herë kampionët e vendit është se aty shënojnë të “gjithë”. Kështu golashënuesi i skuadrës dhe i kampionatit vijon të jetë Bekim Balaj, me 4 rrjeta në llogarinë e tij personale. Megjithatë përveç kapitenit të skuadrës golin e kanë gjetur edhe emra si mbrojtësit: Bajrami, Gurishta, Hakaj dhe së fundmi Jago. Teksa nga mesfushorët ka shënuar deri në këto momente vetëm Murataj në fitoren 2-0 ndaj Vorës.

Në sulm së bashku me Balajn janë edhe Mala e Bismark që kanë gjetur golin deri në këto momente të kampionatit. Pra, në vetëm 6 javë kampionat, tek Vllaznia e kanë gjetur golin 8 futbollistë të ndryshëm. Duke treguar se tek kuqeblutë opsionet për të shënuar janë të ndryshme, kjo edhe për shkak të stilit sulmues që aplikon skuadra.

Ku në javët e ardhshme pritet edhe “zhbllokimi” i Kastratit, i cili pavarësisht performancave shumë pozitive ende nuk ka gjetur golin e parë zyrtar me fanellën e 9 herë kampionëve të vendit tonë.(www.shkodrasport.com)