Faza e dytë e kampionatit për ekipin e Vllaznisë u hap me takimin kundër Erzenit. Ndeshja që u zhvillua sot në “Loro Boriçi” në orën 16:45 shikoi në fund rezultatin 2-2 mes dy ekipeve.
“Shkodra Sport” sjell edhe disa “pikante” të duelit që u mbyll para pak orësh, që ju ftojmë ti lexoni më poshtë.
-Tifozët e Vllaznisë nuk janë të shumtë në shkallët e “Loro Boriçit”. Ndërsa ata të Erzenit kishin udhëtuar në numër të konsiderueshëm për të ndjekur skuadrën e tyre në Shkodër.
-Gjyqtarja kryesore e ndeshjes është femër dhe pikërisht Emanuela Rusta. Hera e dytë që këtë sezon gjyqtarja nga Elbasani arbitron Vllazninë në “Loro Boriçi”.
-I gjithë stoli i Vllaznisë “shpërthen” ndaj gjyqtares Rusta në minutën e 9-të, duke kërkuar karton të verdhë për Kadriun që bën një ndërhyrje kundër Juriç. Kryesorja e takimit tregohet tolerante me lojtarin e Erzenit, duke i përsëritur që nuk do falet më.
-Boshnjaku në një moment e “ka” me shokët e tij të skuadrës, të cilët i kërkon për pasim po asnjë nuk shfaqet. Duke u detyruar kështu ta luajë topin prapa tek Zogoviç.
-Ka zëvendësim që në minutën e 30-të tek Erzeni, Osmanllari lë fushën për Iljazin. Kjo pasi 24-vjeçari ishte ndëshkuar me të verdhë, ku rrezikoi edhe të kuqin dhe prandaj trajneri Kapllani vendos ta nxjerrë nga fusha.
-Josa i pakënaqur me lojtarët e tij në një moment, ku skuadra nuk po arrinte të nxirrte dot topin përpara në sulm.
-Shumë i revoltuar trajneri Kapllani me Ilijazin, kjo pasi ky i fundit lejon një kros ku rrezikohet të pësohet gol nga shijakasit.
-Atmosferë e zjarrtë në “Loro Boriçi” nga ana e të dy tifozerive ultars. Duke e bërë kështu duelin edhe më të bukur për tu shijuar.
-Në delir tifozët kuqeblu, ku Aralica shënon duke i dhënë avantazhin. Goli i parë për kroatin këtë sezon. Goli konfirmohet edhe nga VAR pas një hezitimi të gjyqtares kryesore për pozicionin e sulmuesit.
-Gol i parë me fanellën e Vllaznisë edhe për Esat Malen. Mesfushori merr një top nga mesfusha dhe duke shfrytëzuar shpejtësinë e tij e dërgon në rrjetë.
-Spektakël nga Alivoda me disa driblime ndaj shijakasve. Mesfushori merr duartrokitjet e publikut shkodran.
-Gëzojnë edhe tifozët miq, kjo pas golit të shënuar nga ana e Nonatos që jep shpresë pas rezultatit provizor 2-1.
-Në një moment një prej stafit të Erzenit kërkon tabelën elektronike për zëvendësimet tek stoli i Vllaznisë. Zv.trajneri Sinani ia ofron me kënaqësi tabelën miqve shijakas.
-Hakaj i “hakërrehet” Markut, kjo pasi ky i fundit nuk i pason topin në një moment kur mëngjërashi është krejtësisht vetëm. Kjo sjell edhe acarimin e stafit kuqeblu me numrin 21.
-Ovacione për Malen në momentin kur ky i fundit lë fushën për Krujen. Mesfushori iu rikthen duartrokitjet tifozëve.
-Acarohet shumë situata në fund ku ka penallti për Erzenin. Tifozët shkodranë shumë të irrituar për këtë vendim ku rezultati përfundimtar është 2-2. Shifra që dërgojnë në ekstazë Erzenin dhe tifozët shijakas.