Sonte u luajt edhe takimi i javës së 10-të të Superligës mes Vllaznisë dhe Laçit. Ndeshja përfundoi në shifrat 1-0 për shkodranët.
“Shkodra Sport” sjell për gjithë lexuesit disa nga “pikantet” e përballjes që u zhvillua në “Loro Boriçi”.
-Mentor Mazrekaj ishte parashikuar në formacionin titullar. Por një shqetësim në momentet e fundit para fillimit të ndeshjes e lë fantazistin jashtë formacionit. Vendin e tij e zë Velija.
-Para fillimit të ndeshjes ka duartrokitje për trajnerin e Laçit, Mirel Josa nga tifozët shkodranë. Në njëfarë mënyre duke treguar respektin që kanë për kryeqytetasin për kohën e tij tek Vllaznia.
-Shiu i dendur penalizon praninë e tifozëve. Numër shumë i pakët në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Më i vogli i këtij sezoni ku shifra nuk kalonte as 700-800 tifozë.
-Një rast i shkëlqyer për Vllazninë që në minutën e 2-të. Diagne ul një top për Latifin i cili gabon nga shumë pranë portës. Ovacione nga tifozët kuqeblu për rastin e golit.
-Grupimi i tifozëve “Power 12” nuk pushon gjatë gjithë takimit duke kënduar në shi për Vllazninë.
-Një “shpërthim” i Brdariç në drejtim të Latifit, kur ai humbet topin dhe Laçi ndërton një kundërsulm të rrezikshëm.
-Shiu bën që fëmijët që mbledhin topat të gjejnë strehë nën shkallat e stadiumit. Në një moment kur topi del jashtë nuk ka kush ta marrë dhe portieri Zogović vrapon për të rifutur topin në lojë.
-Super gjuajtje e Aralices në të 30-tën ku Dajsinani “fluturon” dhe nxjerr topin në këndore. Kroati nuk iu beson syve.
-Mirel Josa në një moment i kërkon llogari Qatos, që të hapte topin në krah e jo të godiste.
-Aralica bën të pabesueshmen në minutën e 39-të. Sulmuesi humbet një rast me portën thuajse bosh duke dërguar topin në shtyllë. Të gjithë të shtangur tek Vllaznia.
-Komplimenta për Esin Hakajn për asistin tek goli i Da Silvas, tifozët shkodranë shprehen “ia dha llokum”.
-Protesta nga ana e Brdariç në drejtim të gjyqtarit të katërt pasi Jonuzi ndëshkohet me karton të verdhë, gjermani i drejtohet arbitrit duke thënë:”Mori vetëm topin, nuk bëri faull”.
-Debat i ashpër mes Brdaric dhe gjyqtarit të katërt. Kryesori Beqiraj ndëshkon me të verdhë trajnerin e kuqebluve.
-Mirel Josa qëndron 90 minuta në shi duke mos u ulur asnjëherë në pankinë. Ndërsa Brdariç herë pas here “struket” në pankinë si pasojë e shiut të dendur.
-“Xixa” mes Da Silvas dhe Roganoviç në fundin e takimit. Dyshja gati kapet me duar, por gjyqtari Beqiraj shuqn çdo gjë.
-Në fund festë për Vllazninë ndërsa të gjithë formojnë një rreth duke brohoritur ndërsa zhgënjim në kampin laçian.