Në pasditen e sotme u zhvillua edhe takimi javës së 7-të mes Vllaznisë dhe Partizanit. Dueli u mbyll me rezultatin 1-2 për kryeqytetasit.
“Shkodra Sport” sjell edhe disa “pikante” për lexuesit e saj të cilat iu ftojmë ti lexoni më poshtë.

-Para fillimit të ndeshjes ka një duartrokitje për ekipin e femrave të Vllaznisë. Vajzat kuqeblu të pranishme në stadium, falenderohen nga publiku shkodran për arritjen në grupet e Champions League.

-Si në gjitha ndeshjet e kësaj jave në kampionat është mbajtur 1 minutë heshtje për vdekjen e Sulejman Maliqatit. Ish-portierit kavajas të ndarë nga jeta pak ditë më parë.

-Ka një numër të konsiderueshëm tifozësh, kuqeblu në “Loro Boriçi”. Duke veçuar kështu edhe grupimin “Vllaznit ultras”. Nuk mungon as tifo grupi i Partizani “Ultras Guerrils”.

-Ka “ish” për secilën skuadër në formacion, ku Vllaznia aktivizon Malen e Markun e Partizani ka në 11-tshe Da Silven. Lojtarët sezonin e kaluar mbronin ngjyrat e kundërshtarëve të sotëm.

-Latifi, Boshnjaku dhe Heriç e ndjekin ndeshjen së bashku. Të tre futbollistët vuajnë nga dëmtimet dhe nuk ishin të gatshëm për duelin.

-Bën përshtypje aktivizimi i tre futbollistëve të datëlindjes 2003. Alivoda në rradhët e Vllaznisë dhe Buxhelaj dhe Hodo tek Partizani. Diçka që e shohi rrallë në ndeshjet e kampionatit tonë.

-Ka vërshëllima për Da Silvan nga ana e tifozëve shkodranë disa herë kur braziliani është në kontakt me topin.

-Në minutën e 18-të ka kontestime nga ana e stafit të Vllaznisë që kërkojnë karton të verdhë për Buxhelajn pas ndërhyrjes ndaj Males. Gjyqtari Cjapi nuk është i këtij mendimi duke sjellur pakënaqësi tek pankina shkodrane.

-Në të njëjtin moment pankina e Vllaznisë është në lëvizje ku Josa këshillon Alivoden e ndërsa Miloti “merret” me Malen”.

-Ardit Hoxhaj konfirmohet “njeriu gol” i Vllaznisë. Vlonjati gjen rrjetën në minutën e 37-të duke “elektrizuar” gjithë “Loro Boriçin”.

-Ish-futbollistë të Vllaznisë ndër vite si: Ismet Hoxha, Ahmet Meta, Armando Cungu, Luan Zmijani, Avenir Dani, Altin Xhahysa, Fatmir Paçrami apo edhe Fatmir Axhani e Amarildo Belisha ishin të pranishëm në tribunën VIP. Ish-ikonat kuqeblu ishin në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës.

-Aralica shfaqet me “look” të ndryshuar, ku sulmuesi kroat ka lyer flokët duke u shndërruar në bjond. Kjo sjell edhe batutën e tifozëve shkodranë që shprehen “ishalla ka ndërruar edhe vesin e mos ti humbë më golat”.

-Ka polemika në një moment ku Hoti përpiqet që të ngrejë Smajlin e dëmtuar në fushë. Gjesti i kosovarit irriton stolin e Vllaznisë që kërkon ndëshkimin për mesfushorin e kuq.

-Të qetë trajnerët Josa e Colella që nuk kapen asnjëherë nga emocionet e ndeshjes.

-Da Silva shënon golin tipik të “ish-it”. Braziliani kërkon falje tifozerisë shkodrane dhe nuk feston.

-Minuta e 77-të e ndeshjes dhe në zonën e Partizanit ka një episod të dyshimtë, ku tek Vllaznia kërkojnë prekje të topit me dorë dhe penallti. Nuk mendon kështu Cjapi që e cilëson gjithçka të rregullt. Vendim që sjell acarimin e tifozëve në shkalët e stadiumit.

-Duartrokitje nga publiku shkodran për Da Silvan në momentin kur ky i fundit lë fushën e lojës për Zekollin.

-Në fund ka festë tek Partizani e shumë zhgënjim tek Vllaznia që duhet të reflektojë për rezultatet e fundit.
Endri ÇINARI