Stadiumi “Uindsor Park” në Belfast të Irlandës së Veriut, ku dje në orën 20:45 u zhvillua ndeshja Linfild-Vllaznia (3-1), më tepër i ngjante një atmosfere ku shkodranët dukeshin pritës.

Rreth 400 shkodranë, të cilët më së shumti jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Britaninë e Madhe, kanë pushtuar stadiumin e Linfildit, duke befasuar jo pak edhe tifozët vendës. Thirrjet e tyre “Vllaznia, Vllaznia”, nuk pushuan për 90 minuta, madje edhe atëherë kur Linfildi shënoi golin e tretë dhe historia e ndeshjes dukej e mbyllur.

Ata që kanë ndjekur dje Linfild-Vllaznia përmes “Supersport” kanë dëgjuar vetëm brohoritje të shumta në mbështetje të skuadrës shkodrane, por kjo nuk mjaftoi që ekipi të merrte një rezultat pozitiv në këtë takim të parë. “Panorama Sport” ju sjell edhe pikantet e tjera të ndeshjes në Belfast.

* I vetmi moment që prodhoi polemika gjatë ndeshjes ishte në fundin e pjesës së parë, kur lojtarët e të dyja skuadrave kapen në momentet e ekzekutimit të një goditjeje këndi në zonën e Vllaznisë. Arbitri jep dy kartonë të verdhë për Finlajson dhe Boshnjakun, të cilët ishin iniciatorë të sherrit brenda zonës, që u pasuan me shtyrje të shumta.

* Çdo aksion i Linfiedlit në takimin e djeshëm dukej sikur mbyllej me një goditje nga këndi. Plot 15 të tilla ekzekutoi skuadra nga Irlanda e Veriut, ndërsa shkodranët vetëm një korne gjithë lojës.