Vllaznia mori një fitore minimale 1-0 ndaj Laçit në fundjavë, por ajo që ka më shumë rëndësi për shkodranët janë 3 pikët dhe vazhdimësia në kampionat. ”Panorama Sport” iu sjell pikantet e takimit dhe ato që nuk u panë në TV:
-Mentor Mazrekaj ishte parashikuar në formacionin titullar, por një dëmtim sa misterioz, por edhe i çuditshëm e la jashtë fushës së lojës. Mësohet se sulmuesi i Laçit ka rrëshqitur në dhomën e zhveshjes para daljes për nxehje në fushë, ku pësoi dëmtime dhe hematoma. Pas ndeshjes klubi kurbinas i ka kryer Mazrekajt të gjitha ekzaminimet e mjekësore dhe, fatmirësisht, nuk ka ndonjë problem madhor. Lojtari do t’i nënshtrohet terapisë nga stafi mjekësor i ekipit me shpresën për të qenë gati për ndeshjen e radhës.
-Para fillimit të ndeshjes ka duartrokitje për trajnerin e Laçit, Mirel Josa, nga tifozët shkodranë. Në njëfarë mënyre, duke treguar respektin që kanë për ish-trajnerin kryeqytetas për kohën e tij te Vllaznia.
-Shiu i dendur penalizoi praninë e tifozëve. Numër shumë i pakët në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Më i vogli i këtij sezoni, ku shifra nuk kalonte as 700-800 tifozë.
-Një rast i shkëlqyer për Vllazninë që në minutën e 2-të. Dianje ul një top për Latifin, i cili gabon nga shumë pranë portës. Ovacione nga tifozët kuqeblu për aksionin e krijuar.
-Grupimi i tifozëve “Power 12” nuk pushon gjatë gjithë takimit duke kënduar në shi për Vllazninë.
-Një “shpërthim” i Brdariçit në drejtim të Latifit, kur ai humbet topin dhe Laçi ndërton një kundërsulm të rrezikshëm.
-Shiu bën që fëmijët që mbledhin topat të gjejnë strehë nën shkallët e stadiumit. Në një moment, kur topi del jashtë, nuk ka kush ta marrë dhe portieri Zogoviç vrapon për të rifutur topin në lojë.
-Supergjuajtje e Aralices në të 30-ën ku Dajsinani “fluturon” dhe nxjerr topin në këndore. Kroati nuk iu beson syve.
-Mirel Josa në një moment i kërkon llogari Qatos që të hapte topin në krah e jo të godiste.
-Aralica bën të pabesueshmen në minutën e 39-të. Sulmuesi humbet një rast me portën thuajse bosh duke dërguar topin në shtyllë. Të gjithë të shtangur te Vllaznia.
-Komplimente për Esin Hakajn për asistin te goli i Da Silvës. Tifozët shkodranë shprehen: “Ia dha llokum”.
-Protesta nga ana e Brdariçit në drejtim të gjyqtarit të katërt pasi Jonuzi ndëshkohet me karton të verdhë. Gjermani i drejtohet arbitrit duke thënë: “Mori vetëm topin, nuk bëri faull”.
-Debat i ashpër mes Brdariçit dhe gjyqtarit të katërt. Kryesori Beqiraj ndëshkon me të verdhë trajnerin e kuqebluve.
-Mirel Josa qëndron 90 minuta në shi duke mos u ulur asnjëherë në pankinë, ndërsa Brdariç herë pas here “struket” në pankinë si pasojë e shiut të dendur.
-”Xixa” mes Da Silvës dhe Roganoviçit në fundin e takimit. Dyshja gati kapet me duar, por gjyqtari Beqiraj shuan çdo gjë.
-Në fund ka festë për Vllazninë. Të gjithë formojnë një rreth duke brohoritur, ndërsa në kampin laçian ka zhgënjim.