✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Duhej të vinte java e 13-të e kampionatit dhe ndeshja e 7-të e sezonit në shtëpi që Vllaznia të linte pikë për herë të parë në “Loro Boriçi”. Kjo pasi shkodranët morën disfatën e parë në shtëpi në disfatën e fundit ndaj Teutës në shifrat 0-1, ku gjithçka u vendos nga një gol i Beshirajt. Para këtij 90 minutëshi kundër durrsakëve, kuqeblutë kishin zhvilluar 6 ndeshje në shtëpi duke marrë 6 fitore e grumbulluar 18 pikë, ku në gjithë këta duele të besuarit e Martinit kishin shënuar 13 herë e pësuar vetëm dy gola.
Duke qenë kështu perfektë përsa i përket ndeshjeve shtëpiake ku kishin mposhtur me rradhë Egnatian 2-0, Partizanin 4-1, Voren 2-0, Elbasanin 1-0, Tiranën 3-1 dhe Dinamon 1-0. Por, tashmë “fortesa” “Loro Boriçi” “bie” dhe është Teuta ekipi i parë këtë sezon që merr pikë, madje të plota në Shkodër.
Duke bërë që rekordi i fitoreve rradhazi në shtëpi të thyhet, teksa bregdetarët kthehen të fitojnë një ndeshje në Shkodër pas më shumë se 5 vitesh. Ku për herë të fundit fitonin në Shkodër në datën 28.06.2020 me rezultatin 0-3. Tashmë për Vllazninë kërkohet reagimi duke filluar nga ndeshja e rradhës në transfertë me Vorën.
Për kuqeblutë fitorja është një “detyrim”, kjo për të larguar mini krizën në të cilën ndodhen 9 herë kampionët e vendit. Të cilët në 5 javët e fundit kanë marrë vetëm 5 pikë, duke lëshuar kështu për herë të parë kryesimin e Superiores këtë edicion, me kampionatin që tashmë kryesohet nga Elbasani dhe Egnatia në kuotën e 25 pikëve. Me Vllazninë që tashmë ndjek dyshen me 24 pikë të grumbulluara pas 13 javësh.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”















