Sfida ndaj Lacios do të jetë vendimtare për të ardhmen e Milanit dhe rrugëtimin drejt Ligës së Kampioneve. Kjo është arsyeja pse Stefano Pioli ka kërkuar një përqendrim maksimal të skuadrës së tij për këtë duel që mund të ketë një peshë të madhe, pasi nëse mundin Lacion, e nxjerrin përfundimisht jashtë garës për një vend në katërshe.

“Po, është një sfidë direkte për të shkuar në Ligën e Kampioneve”, tha sot trajneri. “Mendoj se ne e meritojmë të jemi mes katër skuadrave të para në klasifikim, por këto 32 ndeshje na kanë treguar se jemi më të fortë se të gjithë përveç Interit. Dhe kemi qenë të vetëm që kemi përballuar zikaltërit”, tha ai.

Për kuqezinjtë në këtë sfidë të rëndësishme do të mungojë një nga emrat kryesorë. “Ibrahimoviç është më mirë, por nuk do të jetë për këtë ndeshje. Shpresojmë ta rikuperojmë për ndeshjen kundër Benevenetos. Ndërsa kemi rikuperuar Teo Hernandez, nëse nuk ka probleme në stërvitjen e fundit, do të jetë i gatshëm.

Mendoja se me 75 pikë e sipër mund të arrije në Champions, por tashmë është e kotë të bëjmë llogari, ka skuadra që mund t’i fitojnë ndeshjet radhazi. Ndaj në këtë moment më mirë të përqendrohemi në secilën ndeshje të radhës për të marrë maksimumin”, tha Pioli sot para gazetarëve. /vipsport/