Në mungesë të trajnerit Brikeno Bizi që ka qenë i pezulluar, ndeshjen ndaj KF Shkodra e ka drejtuar nga pankina ndihmësi i tij Ylad Pirani. Me udhëzimet e tij ka bërë që gjithçka të shkojë ashtu si duhet dhe në fund, Vllaznia U17 arriti të fitonte 2-0.

Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport” në përfundim të kësaj ndeshje, ai është shprehur: “Një fitore shumë e bukur, për të cilën është derdhur shumë djersë dhe është dashur shumë punë, luftë sportive dhe në fund erdhi rezultati i merituar nga ekipi i Vllaznisë.

Në pjesën e parë patëm vështirësi në qarkullimin e topit dhe po luanim me topa lart por në pjesën e dytë gjërat ndryshuan dhe lojtarët zbatuan detyrat që u dhamë. Në këtë ndeshje kishim 8 mungesa, nga të cilët tre lojtarë ishin të formacionit por gjithsesi ata që luajtën dhanë më të mirën e tyre”.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me objektivat e këtij ekipi dhe perspektivën e lojtarëve të tij, Ylad Pirani do të shprehej: “Objektivi kryesor është sigurisht titulli kampion sigurisht por ajo që është më kryesorja, të rrisim lojtarë cilësorë për të ardhmen e Vllaznisë, në mënyrë që në një të ardhme të afërt ta shohim këtë skuadër aty ku duhet të jetë.

Në ekip kemi 5-6 elementë cilësorë dhe sidomos reparti i mesfushës është shumë i mirë. Mund të jetë mesfusha më e mirë e gjithë kampionatit kombëtar të kësaj grupmoshe”.
www.shkodrasport.com