Transferimi i Granit Xhakës është vetëm pika e fillimit të transformimit të Herta Berlin në një superfuqi të futbollit gjerman.

Mesfushori shqiptar që përfaqëson Zvicrën, është pjesa e parë e mozaikut që kërkon të ndërtojë Jurgen Klinsman, i emëruar pak javë më parë në pankinën e klubit gjerman, me synimin për ta kthyer Hertën përsëri në një skuadër pretendente, të denjë për trofe.

Presidenti Lars Vindhorst i ka lënë dorë të lirë Klinsman të ndërhyjë në merkato për të përforcuar ekipin dhe ish-trajneri i Gjermanisë ka bërë lëvizjen e parë duke gjetur akordin me Xhakën,

edhe pse më parë duhet bindur Arsenali që duket sikur ka ndryshuar qëndrim ndaj tij pas emërimit të Artetës. Nëse sigurohet Xhaka, më pas do të lëvizet drejt objektivave të tjerë në merkato, që janë emra shumë të njohur.

Julian Draksler, i lënë në hije të PSG gjatë këtij sezoni është një tjetër emër që ndiqet me ngulm nga Klinsman, ndërsa i mundshëm duket edhe afrimi i Kevin Strotman, një futbollist që do i jepte më shumë fantazi repartit të avancuar.

Pak më i vështirë do të ishte kontraktimi i Mario Gëtce, i cili mbetet i lidhur ngushtë me Borusia Dortmund, edhe pse nuk luan aq rregullisht sa do të dëshironte me këtë ekip.

Të gjithë emra shumë të njohur që do të transformonin plotësisht këtë skuadër duke e kthyer mes pretendenteve në këtë sezon për një vend në Kupat e Europës. /vipsport.al/