Vendi i parë që Vllaznia mban aktualisht në renditje, ka gëzuar të gjithë në Shkodër. Megjithatë zëvendëstrajneri Elvis Plori dëshiron që skuadra të mos kalojë në eufori. Sipas tij, e rëndësishme është që ky entuziasëm të merret pozitivisht dhe skuadra të tregojë vlerat e saj më të mira në ndeshjet e ardhshme.
Numri 2 i pankinës shkodrane i ka bërë këto deklarata nga studio e emisionit “Sport Arena” në Televizionin Rozafa ku ka qenë i ftuar teksa është shprehur:
“Jemi në vend të parë, por janë vetëm dy javë që kanë kaluar dhe është shumë shpejt nga koha për të dalë në një konkluzion përfundimtar. Deri më tani jemi të kënaqur nga performanca dhe mënyra si po punohet në ekip.
Po ndihet edhe dora e trajnerit Brdariç dhe puna që po bëhet sivjet është më ndryshe se vitet e kaluara. Të njëjtin profesion me të kam edhe unë, por mënyra e menaxhimit, mënyra e drejtimit ka të bëjë shumë.
Ky është vetëm fillimi, por unë shoh që po punohet shumë seriozisht dhe prandaj besoj se do të bëjmë gjëra të mira këtë sezon. Tifozët janë të kënaqur me mënyrën si po ecin gjërat te Vllaznia këtë sezon.
Kemi një rrugë të gjatë për të bërë dhe dihet që në Shqipëri ndodhin shumë të papritura, por shpresoj që këtë vit te Vllaznia të mos ketë të papritura, të jetë një kampionat i bukur dhe të mos ketë të papritura, të mos ketë ndërprerje të kampionatit siç ndodhi sezonin e kaluar.
Po ashtu shpresoj të jemi të mbrojtur nga dëmtimet dhe të kemi me vete edhe fatin dhe nëse ndodhin këto, them se Vllaznia do të jetë dinjitoze dhe do të tentojë të bëjë më të mirën e këtyre viteve të fundit me paraqitjet e saj.
Shoh që tifozët por edhe sportistët janë entuziastë nga nisja që i kemi bërë kampionatit, duhet ta shfrytëzojmë këtë entuziasëm, por gjithmonë me mend në kokë dhe nuk duhet të kalojmë në eufori. Kemi fituar ndaj dy skuadrave që e kishim parashikuar se do të mund të fitonim ndaj tyre, por mua më ka kënaqur më tepër mënyra si po luajmë futboll./SHKODRA-SPORT.COM/