Trajneri aktual i Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Mauricio Pochettino, rikujtoi periudhën e tij te Paris Saint-Germain, duke theksuar se lojtarë si Lionel Messi, Neymar dhe Kylian Mbappé “dukej sikur ishin më të mëdhenj se vetë klubi”.
Në një intervistë për ‘High Performance’, trajneri argjentinas, i cili drejtoi skuadrën pariziene nga janari 2021 deri në korrik 2022, shpjegoi kompleksitetin e menaxhimit të një dhome zhveshjeje me ‘yje’ të tillë: “Messi, Neymar dhe Mbappé dukeshin më të mëdhenj se klubi vetë. Këta lojtarë kanë më shumë ndjekës se institucionet. Çdo vendim ndikon tek miliona njerëz”, theksoi ai, duke shtuar se qëllimi i tij ishte “të krijonte një ambient normaliteti edhe në rrethana të jashtëzakonshme.”
Pavarësisht presionit, Pochettino siguroi se profesionalizmi i kësaj tresheje sulmuese nuk u vu kurrë në dyshim. “Nuk pati asnjë problem disipline apo mungesë respekti me ta. Gjithmonë ishin profesionistë me ne,” shpjegoi trajneri.
Ai rrëfeu gjithashtu një episod me Messin gjatë një ndeshjeje kundër Olympique Lyonnais, kur vendosi ta zëvendësonte: “Ai u zhgënjye dhe më tha: ‘Duhet të më pyesësh’. Por unë duhej t’i jepja përparësi gjurit të tij.” Mosmarrëveshja u zgjidh shpejt: “Pas asaj ndeshjeje, ai u kthye, shënoi një gol kundër Manchester City-t dhe në dhomën e zhveshjes thjesht më përqafoi,” përfundoi Pochettino.
Pochettino drejtoi PSG-në në 84 ndeshje, me 56 fitore, 13 barazime dhe 15 humbje, duke fituar tre trofe kombëtarë: kampionatin, Kupën dhe Superkupën e Francës. Megjithatë, aventura e tij përfundoi pas eleminimit nga Real Madridi në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve 2021/22.


