Të kënaqur për rikthimin e Dinamos pas një kohe të gjatë në Kategorinë Superiore, por aspak të kënaqur për atë që kjo skuadër po bën në kampionat. Ish-dinamovitët ngrenë alarmin për krizën ku është futur skuadra e dytë më e titulluar në vend. Ata nuk e shohin situatën si tifozë, por si njerëz që kanë djersitur për fanellën blu dhe që iu dhimbset jo pak. Një prej tyre është edhe ish-kapiteni Artion Poçi, fieraku që ka luajtur për Dinamon më shumë se 8 vjet.
SITUATA – Në një prononcim për “Panorama Sport”, Poçi e konsideron një situatë krejtësisht absurde atë që po kalon Dinamo në këtë moment dhe sipas tij dikush duhet të marrë përgjegjësitë direkte. “Për mua është një situatë e pakuptimtë, një situatë absurde kjo që po ndodh te Dinamo. Dikush duhet patjetër të marrë përgjegjësitë për këtë krizë.
Ne nuk jemi brenda klubit dhe flasim me atë që shohim, por në të tilla raste duhet një ndryshim ambienti për të kërkuar daljen nga kriza. Nuk e dimë mirë kush mban përgjegjësi për ndërtimin e skuadrës. Nëse lojtarët janë marrë nga trajneri, ai duhet të përgjigjet, është shumë e thjeshtë. E dinim që do të ishte e vështirë dhe kemi thënë se kërkon kohë që skuadra të përmirësohet, por në fakt ajo po përkeqësohet, sepse përveç rezultateve tani mungon edhe loja.
Më keq akoma, nuk ka asnjë sinjal për ndryshim, ndaj dhe them se është situatë absurde. Nuk mund të katandiset në këtë lloj derexheje ekipi, sepse tani po rrezikon rënien nga kategoria”, ka thënë Poçi fillimisht për gazetën.
LOJTARËT – Më tej, ish-mesfushori përqendrohet te lojtarët dhe zhgënjimi i madh nga paraqitja e tyre. “Nuk e di çfarë u kanë thënë në fillim lojtarëve kur i kanë marrë, si ua kanë prezantuar fanellën e Dinamos. Ajo që ne kuptojmë nga paraqitja e lojtarëve në fushë është se ata kanë veshur shumë lehtë një fanellë të rëndë. Ata e kanë gjetur gati, pa u lodhur shumë, fanellën e Dinamos.
Vetëm kështu mund të shpjegohet indiferentizmi i tyre në fushë, mungesa e grintës dhe luftës sportive. Lojtarët e Dinamos nuk fitojnë asnjë dyluftim. Futbolli do ushtarë në fushë, do që të djersish fort, të luftosh fort dhe të përplasesh, që të meritosh një fanellë të një rëndësie si të Dinamos. Nuk dua të flas për detaje teknike, disa gjëra duken qartë, një skuadër shumë e hapur dhe e zgjatur në fushë”, theksoi fieraku që la gjurmë te “nëndetësja”.
VLLAZNIA – Për sfidën e nesërme me Vllazninë, Poçi pohon se vështirësia është e madhe, pasi ka vlerësim maksimal për ekipin shkodran, por uron që të vijë kthesa e shumëpritur. “Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë me Vllazninë, që është thuajse si sezonin e kaluar. Vllaznia ka kualitet, luan futboll me ritëm dhe ka frymën e grupit, është e kundërta e Dinamos.
Te Vllaznia, si titullarët, si lojtari i 12-të, i 13-të apo 14-të që hyn në fushë japin maksimumin, japin gjithçka. Askush nuk mendon ‘pse unë të rri në stol dhe ai të luajë’. Janë të gjithë për një dhe një për të gjithë. Ky është futbolli, pastaj është edhe meritë e trajnerit për mendimin tim. E thënë shkurt, Vllaznia është shumë e fortë, por futbollit nuk i dihet asnjëherë dhe uroj të vijë kthesa. Do të më bëhej qejfi si dinamovit”, ka përfunduar ish-lojtari i bluve.