Holanda u përplas dhe mori një barazim shumë të vlefshëm në Norvegji, por të shtunën në “Philips Stadion” shtypi Malin e Zi, duke konfirmuar se ndoshta kura “Van Gal” ka nisur që të japë efekt te portokallinjtë.

“Tulipanët” nisin të xhirojnë në mënyrën e duhur duke fituar 4-0 ndaj ballkanasve dhe ngjiten në vend të dytë me 10 pikë, vetëm një larg Turqisë, dueli që do të ndajë edhe se cila prej këtyre dy përfaqësueseve do të mund të presë direkt biletën për në “Katar 2022”.

Por kujdes, të martën, në duelin direkt, barazimi është një rezultat që nuk vlen, pasi Norvegjia është gjithashtu në kuotën e 10 pikëve dhe kundër Gjibraltarit do të luajë me një vesh edhe nga Amsterdami, në pritje të rezultatit nga Amsterdami.

GOLAT – Van Gal e nisi ristrukturimin e Holandës nga mbrojtja, me “italianët” De Ligt, De Vraj e Dumfris që ishin një digë ndaj malazezëve, por problemi është në mesfushë, në qarkullimin e topit, me Klasenin që nuk ndihmohet saç duhet nga De Jong, por për t’i hapur punë vetes mendon vetë Mali i Zi, i cili shkakton penallti me Lagator dhe nga pika e bardhë Depaj nuk gabon.

Në të 38-ën “Tulipanët” zhbllokojnë sfidën, ndërsa në të dytën nis një shou i djemve të Van Galit, duke dyfishuar sërish me Depajin me një goditje diagonale në të 62-ën, tetë minuta më vonë trefishon Vajnaldum, ndërsa Gakpo gjashtë xhiro kronometri më pas vulos shifrat finale në 4-0.

FLET VAN GAL – Shumë i lumtur për këtë sukses dhe mjaft optimist për të ardhmen ishte edhe trajneri i ri i Holandës, Luis van Gal: “Gjithçka shkoi në mënyrë perfekte që në fillim. Me përjashtim të atij momenti kur Malacia u dhuroi një top për gol rivalëve, pjesa tjetër e ndeshjes ishte perfekte, shumë e lehtë për ne.

Dhe të mendosh që kishim bërë vetëm dy stërvitje përpara Malit të Zi, po aq edhe ndaj Norvegjisë dhe arritëm të marrim 4 pikë, përveçse të shënojmë 5 gola në dy takime. Por mbi të gjitha, mendoj se kjo fitore do të jetë shtysa e duhur për ne edhe në pritje të Turqisë”, tha 70-vjeçari.