Rama takon Metën! Nuk bëhet fjalë për kryeministrin dhe presidentin e Republikës së Shqipërisë, por për drejtorin e Partizanit dhe gjyqtarin e futbollit.
Olsi Ramën dhe Kridens Metën i ka bashkuar VAR-i në fundin e ndeshjes derbi Tirana-Partizani 1-0. “Panorama Sport” zbulon se menjëherë pas përfundimit të takimit në “Air Albania”, drejtori i të kuqve ka shkuar në dhomën e VAR-it, pikërisht aty ku si kryesor për derbin ishte Meta, ndërsa si asistent Mario Shazivari.
Mësohet se me mirësjellje Rama u ka kërkuar arbitrave të shikojnë nga një plan tjetër penalltinë e dhënë në favor të Tiranës. Pasi e ka vëzhguar mirë rastin nga pamjet filmike, drejtori i Partizanit është larguar nga dhoma e VAR-it. Si për ironi të fatit, Meta është paditur në prokurori nga Partizani për ndeshjen e edicionit të kaluar të Kupës në Laç.