Alen Sherri ka luajtur për disa sezone me Vllazninë dhe më pas kaloi tek Laçi ku luajti dy të tjerë dhe tashmë po mbush të dytin edhe me Egnatian. Me këtë të fundit është shpallur edhe portieri më i mirë i kampionatit dhe kjo ka bërë që vlerësimet për të nuk mungojnë.
Por nga ana tjetër një pjesë të mendjes 26 vjeçari e ka sërish tek skuadra ku u formua si futbollist dhe në një intervistë të dhënë për mediat shprehet se dëshiron që një ditë të rikthehet e ta mbrojë përsëri portën e Vllaznisë. Ja deklarata e portierit aktual të Egnatias:
“E kam thanë gjithmonë që Vllaznia ka një vend shumë të veçantë tek unë. Dhe normalisht që e dua këtë skuadër që në fund të kampionatit të jetë në “Final Four” dhe pastaj do të jetë fusha që do të tregojë se kush do të jetë më i miri.
Por e përsëris që unë e dua për vetë ekipin që është, për historinë që ka, që të jetë në “Final Four”. A më mungon Vllaznia? Të them të drejtën, ai është ekipi i qytetit tim, jam rritur aty dhe kam kaluar shumë vite me të.
Siç e thashë ka një vend shumë të veçantë tek unë dhe do të jetë kështu gjithmonë. Por futbolli ky është dhe nuk ke se çfarë i bën atij. Mu desh të largohem në një moment prej saj dhe të ardhmes nuk i dihet pastaj. Kuptohet që një ditë kam dëshirë të rikthehem e të luaj sërish për të”./SHKODRA-SPORT.COM/